Kryebashkiakja e Laçit, Majlinda Cara, ka njoftuar se do të pezullohet pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout në Laç për shkak të koronavirusit. Përmes një statusi në ‘Facebook’, ajo bën të ditur se pelegrinazhi i 13 të martave niste prej datës 17 mars, por tashmë ky pelegrinazh do të shtyhet si pasojë e masave të marra për parandalimin e COVID-19.
Statusi i plotë:
Referuar masave të ndërmarra nga autoritetet për kufizimet maksimale të lëvizjeve dhe grumbullimeve të njerëzve si dhe,
Dekretit të nxjerrë nga Përfaqësia e Kishës Katolike në Shqipëri,
Njoftojmë si më poshtë:
Nga data 17 Mars 2020, në kushte normale, do të fillonte pelegrinazhi i përvitshëm i 13 të Martave drejt Kishës së Shna Ndout. Por, duke parë situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit nga përhapja e virusit COVID-19, si dhe masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të tij, ky ritual do të PEZULLOHET deri në tejkalimin e kësaj situate, për të cilën duhet bashkëpunimi dhe kontributi i gjithësecilit prej nesh.
Le të lutemi të gjithë në familjet dhe shtëpitë tona për shëndet e mbarësi, me shpresën dhe besimin se të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë vështirësi me sa më pak dhimbje.