Bashkë fituesja e Çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 2008, pjesëmarrëse në kërkimet për HIV-it në Institut Pasteur që nga 1983, virologia Françoise BarréSinoussi, presidente e shoqatës Sidaction, u caktua në krye të Komitetit të Kërkimit dhe Analizës së Ekspertëve, që përbëhet nga 12 studiues e mjekë, të instaluar pranë presidentit frances që më 24 mars. Ky komitet do të jetë përgjegjës për këshillimin e qeverisë për të gjitha çështjet në lidhje me trajtimin e Covid19. Ajo flet në një intervistë për Le Monde për shqetësimet e shkaktuara nga epidemia e koronavirusit.
Ju që jeni pjesë e zbulimit të virusit të SIDA-s, keni heshtur deri më tani. Çfarë mund të thuash sot?
Jam e shqetësuar, si gjithë të tjerët, për këtë epidemi, e cila më kujton në shumë mënyra mjaft gjëra të dhimbshme nga fillimi i epidemisë HIV/AIDS. Është mirë që ekspertët të flasin vetë, disa prej të cilëve edhe i kanë jetuar vitet e para të epidemisë së AIDS. Teksa pashë zhvillimet e këtyre ditëve, i thashë vetes se ishte edhe përgjegjësia ime të shprehem. Ndonjëherë mund të dëgjoni të flitet tjetër për tjetër, për shembull, për bakteret kur ky është një infeksion viral. Po ashtu më duhet të reagoi ndaj pamjes të radhëve jashtë Institutit të Spitalit të Marsejës në pritje të një trajtimi me hidroksilklourina, efektiviteti i të cilave nuk është provuar rigorozisht. Disa mund të jenë të kontaminuar dhe mund ta përhapin ndërkohë virusin. Është e pakuptimtë. Kam përjetuar këtë lloj situate në vitet 1980, e cila mund të shkaktojë hutim tek publiku, tashmë të habitur dhge trembur nga shkalla e kësaj epidemie.
Çfarë mendoni për hidroksilkloruin (Plaquenil) dhe pritshmëritë që kemi për të?
Tani për tani, s’jam shumë e bindur, por jam në pritje të rezultateve të testit i cili do të përfshijë 3,200 njerëz, mes tyre 800 në Francë. Një grup i parë do të marrë një trajtim standard pa mjekim; grupi i dytë do të trajtohet me remdesivir antiviral; në grupin e tretë pacientët do të marrin një kombinim lopinavirritonavir; i njëjti kombinim do të jepet në grupin e katërt në kombinim me një ilaç tjetër, që quhet interferon beta, dhe në grupin e pestë, që u shtua në kohët e fundit do të ketë trajtim vetëm me hidroksicholoroquine. Sigurisht që të gjitha këto grupe pacientësh trajtohen përveç kujdesit standard. Analizat e para të besueshme duhet të dalin brenda dy javësh. Ky test po bëhet në një gjendje emergjence. Por duhet të jemi të durueshëm.
Ju po thoni se rezultatet e shpallura deri më tani nuk janë të besueshme?
Rezultatet e para të publikuara kanë të bëjnë me një numër shumë të vogël njerëzish, rreth njëzet, dhe studimi ka dobësi metodologjike. Është absolutisht thelbësore që testimi i këtij ilaçi (hidroksicholoroquine) të bëhet me rigorozitet shkencor, të ketë një përgjigje mbi efektivitetin e tij ndaj virusit por edhe për efektet anësore të tij. Ne kemi nevojë për diçka serioze. Kjo pasi hidroksilklorina mund të ketë efekte të dëmshme dhe të sjellë rreziqe kardiake. Prandaj është e paarsyeshme ta ofrosh atë për një numër të madh të pacientësh në këtë kohë, derisa të jenë në dispozicion rezultate të besueshme. Nëse funksionon, unë do të isha shumë e lumtur, dhe testimi i ilaçeve që tashmë ekzistojnë në treg është një qasje plotësisht e arsyeshme. Por ende nuk kemi përgjigje të plota për pyetjet e thjeshta: A është efektive? A ka ndonjë efekt serioz anësor?
Mjekët tashmë po e rekomandojnë atë. Çfarë mendoni?
Ndonjëherë ajo jepet në bazë të dhembshurisë, që nënkupton dhënien e një ilaçi që tashmë është në treg për një sëmundje tjetër për njerëz që janë në gjendje të rëndë. Por kini kujdes, disa pacientë mund të mos jenë në gjendje ta durojnë atë. Mos harroni, kjo është parë me seriozitet shkencor gjatë provave klinike që kemi marrë me kombinimet terapeutike për trajtimin e HIV. Ndërsa vlerësimi i vaksinave të reja do të marrë kohë.
Çfarë ngjashmërie shikoni mes situatës aktuale dhe epidemisë së HIV?
Të kushtuarit e një vëmendje të madhe në efektet e publicitetit. Këtë e kemi përjetuar shumë në fushatën e HIV/AIDS. Për shembull, kandidatët për vaksina u reklamuan si mbrojtës kundër HIV; por disa njerëz që i kanë përdorur ato edhe u infektuan. Disa kanë përdorur ilaçe që pritej t’i kuronin, por që nuk patën asnjë efekt. Më kujtohen disa histori të trishtueshme. Le të mos japim shpresa të rreme për vaksinat, është një çështje etike.
Si të gjejmë një ekuilibër mes rigorozitetit shkencore dhe urgjencës së kësaj pandemie?
Në fillim të viteve të SIDA-s, pati kriza të histerisë dhe ankthit, nganjëherë edhe të paarsyeshme dhe që ndër të tjera, lidheshin me informacione kontradiktore, me dezinformata, të cilat i gjej pjesërisht edhe në këtë pandemi. Për HIV/AIDS, forca jonë ka qenë solidariteti, “të gjithë së bashku”, i cili për momentin nuk e gjej të mjaftueshëm në këtë epidemi, edhe pse ekziston midis shumicës së mjekëve e studiuesve, të cilët duhet ti admirojmë për atë që po bëjnë, dhe në kontekstin në të cilin po punojnë.
Por komunikimi duhet të jetë i koordinuar më mirë, në përgjithësi, të jetë sa më i besueshëm që të jetë e mundur. Gjithçka është përforcuar nga rrjetet sociale, me shumë informacion të rremë, gjë që krijon ankth. Media ka një rol për të luajtur. Shumica e njerëzve të infektuar me SARSCoV2 shërohen pasi diagnostikohen, kurse infektimi me HIV në vitet 1980 ishte një dënim me vdekje. Por nga ana tjetër duhet thënë po ashtu se SARSCoV2, transmetohet shumë më lehtë sesa HIV.
Po ku është emergjenca atëherë?
Për mua emergjente është të ndalohet epidemia dhe për këtë arsye të zbatohen me respekt të rreptë masat e kontrollit. Dhe u bëj thirrje të gjithëve për ndihmë! Është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për të ndihmuar mjekët. Mungesa e disiplinës së publikut më shqetëson. Emergjencë është gjithashtu për kërkimet shkecore. Procedurat janë përshpejtuar, dhe kjo është një gjë e mirë, për provat klinike natyrisht, por duhet kërkimet themelore të ecin përpara sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse të kuptuarit e mekanizmave të infektimit dhe shumimit të virusit SARSCoV2 në qelizat do të ndihmojë në zhvillimin e strategjive terapeutike të së nesërmes.
Kërkimet po përqendrohen gjithashtu në antitrupa shumë të fuqishëm, në të njëjtin model si për HIV. Kërkime po bëhen edhe në Institutin Pasteur ashtu si kudo në botë, por e gjitha kjo do të marrë kohë. Dhe së fundi nuk duhet të harrojmë njerëzit më të rrezikuar si: migrantët, të pastrehët, njerëzit në burgje, të moshuarit etj. Ne duhet t’i mbrojmë ata, të kujdesemi për ta, vazhdimisht. /Le Monde