Në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, Marco van Basten është rrëfyer 360 gradë mbi jetën e tij, duke treguar edhe të pathëna, si ato të lidhura me depresionin, largimin nga futbolli e raportin me ikona si Arrigho Sacchi apo legjenda Johan Cruijff.
Van Basten, çfarë kujtoni nga lamtumira e futbollit në “San Siro”?
Një ditë e trishtë, siç isha unë dhe shikimet e shokëve të mi. Nuk doja të qaja e nuk pashë në sy askënd. Nuk ishte një festë dhe vrapoja që askush të mos e dallonte që çaloja. Më dukej vetja si i ftuar në varrimin tim.
Çfarë do të ishte bërë Marco van Basten me një kavilje normale?
Për 20 vite jam zgjuar duke i bërë vetes këtë pyetje. E lashë futbollin në moshën 28-vjeçare e deri atëherë kisha fituar tre “Topa të Artë”. Shikoni çfarë bëjnë sot Messi e Ronaldo që të 30-at i kanë kaluar me kohë. Ronaldo është një futbollist i madh, por kush thotë se është më i fortë se Messi nuk kupton asgjë nga futbolli ose nuk është i drejtë. Një si Leo lind një herë çdo 50 vjet.
Kjo mënyrë të shprehuri ju bënte antipatik për mediat?
Kur isha në Itali, mediat vendëse më bënin të ndihesha i huaj. Në ditën e debutimit tim na mundte Fiorentina. Pas ndeshjes më pyesin mbi shkaqet e disfatës dhe unë deklarova se e kishim interpretuar keq takimin. Që aty lindi një skandal e unë isha fajtori i vetëm.
Pranojeni që keni qenë edhe pak mendjemadh…
Thjesht shikoja punën time, por gazetarëve u mjaftonte diçka e vogël për të montuar histori pa fund. Nëse një lojtar guxon të diskutojë mbi trajnerin, askush nuk e përball, edhe pse mund të jetë interesante. Mjaftoheshin duke më dënuar dhe që aty e kuptova se me mediat italiane duhej folur sa më pak.
Ditën e debutimit tuaj trajneri i Milanit ishte Arrigo Sacchi?
Nuk fliste kurrë në mënyrë të drejtë. Edhe sjelljet i kishte në zig-zag. Kot thonë se ka bërë historinë e futbollit. Atë e bënë lojtarët e tij, pavarësisht se edhe ai ka meritat e tij.
Arrigo ishte i zoti të krijonte miqësi me gazetarët dhe diti të ndërtojë imazhin e vetes si një inovator i madh. Nuk ka qenë i tillë?
Nuk ka shpikur asgjë. Moduli që përdorte Milani nuk ishte as revolucionar e as sulmues. Ne kishim mbrojtës të jashtëzakonshëm dhe fitoret na i dhuronte mbrojtja, tek e cila Sacchi bazohej shumë e i kushtonte tepër kohë.
A ka ndonjë veprim që nuk do ta ribënit?
Një herë në dhomat e zhveshjes i thashë Sacchit se nuk fitonim prej tij. Ngeli keq dhe doli pa thënë asgjë. E kuptova se e kisha lënduar e nuk më dukej se e meritonte. Ishte një goditje e ulët dhe pa shkak, për të cilën ndiej keqardhje edhe sot. Në aspektin personal nuk kam probleme me Sacchin, madje e kujtoj me ngrohtësi.
Kush komandonte në dhomat e zhveshjes së Milanit?
Në futboll hierarkia përcaktohet nga aftësitë e jo nga mosha, suksesi apo rroga. Mua nuk më konsideronin lider, por unë komandoja në fushë. Kisha fiksimin e fitores dhe në këtë aspekt ngjaj me Sacchin. Më mjaftonte që më përfaqësonte Baresi, apo qoftë edhe Maldini, që ishte më i ri se unë.
Keni miq nga ajo kohë?
Ishte një Milan me shumë lojtarë inteligjentë, të cilët ndihmonin njëri-tjetrin. Secili prej nesh e konsideronte veten si një gjysmëtrajner. Kam mbetur shumë i lidhur me Mauro Tasottin, por edhe me shokët e tjerë. Kur fiton mes emocionesh, lidhjet janë edhe më të forta.
Edhe me shokët e Holandës?
Sigurisht. Mbaj mend golin tim ndaj Bashkimit Sovjetik. Nuk do të kisha shënuar nëse nuk do ta kisha kaviljen të fashuar. Ishte një mënyrë e fatit për të më dëmshpërblyer. Dy muaj më pas luajta përsëri në atë stadium dhe tentova të përsëris roveshatën, sepse kishim vënë bast me shokët e ekipit.
Çfarë ndodhi?
E nxora topin jashtë stadiumit.
Vazhdoni të mendoni se ju kanë vjedhur një titull?
E dinë të gjithë që ajo është e vërteta, por askush nuk ka pasur kurajën ta pranojë. Në fillim ishin skenat e Bergamos me Alemaon, që pasi mori një goditje me monedhë në kokë, qëndronte në tokë i këshilluar nga masazhatori dhe bënte sikur kishte pësuar një traumë. Më pas ne humbëm në Verona të ndikuar edhe nga arbitri që arbitroi në mënyrë skandaloze dhe bëri gjithçka që të mos dilnim me pikë nga fusha. Ishte një plan i përsosur.
Nga kush?
Nga sistemi i futbollit italian që kishte interes të dërgonte në Kupën e Kampioneve dy ekipe. E dinin të gjithë që ishim ne favoritët për titullin, por shtimi i një ekipi tjetër ishte në favor të të gjithëve. Ishte një pisllëk i madh që edhe sot më acaron.
Jurgen Kohler, Pascuale Bruno…Kush ju ka marrë më shumë vite karrierë?
Asnjëri, sepse edhe unë luaja ashpër. Ata kishin si qëllim të më ndalonin, ndërsa unë të shënoja. Ishte gjithçka normale e mua nuk më shkatërruan karrierën mbrojtësit e këqij, por doktorët e këqij.
Çfarë ju kujton data 21 dhjetor 1992?
Fundin e ëndrrave të mia. Po luaja në mënyrë magjike e kisha një trajner si Fabio Capello që më pëlqente. Ndieja dhimbje në kavilje dhe vendosa të operohem. Ishte gabimi që më ndryshoi jetën.
Përse nuk dëgjuat mjekët e Milanit, Monti e Tavana që nuk ju këshilluan të operoheni?
Nuk e merrni dot me mend sa e kam vuajtur. Jam zgjuar për vite me radhë me atë mendim në kokë. Nuk pata besim te doktorët e Milanit, sepse mendoja se më flisnin në interes të klubit.
Përse nuk bëtë karrierë si trajner?
Tek Ajax më provokoi Ibrahimoviç dhe nuk i përgjigjesha dot me fakte sepse nuk e përthyej dot kaviljen. Në atë moment e kuptova se nuk do të isha dot një trajner si Cruijff, që edhe pasi kishte varur këpucët në gozhdë, jetonte me “jehonën” e karrierës së tij.
A ju pëlqente Ibrahimovic i atyre viteve?
Shihja veten tek ai djalosh. Në fillimet e tij më ngjasonte sepse kishte teknikë e luante në të gjithë fushën. Më pas edhe ai e kuptoi sekretin e të qenurit një lojtar i madh.
Paska sekret?
Golat. Unë, Cristiano Ronaldo, Ibra. Nëse do të jesh më i miri, duhet të përqendrohesh te golat dhe vetëm te golat. Duhet të shndërrohesh në një makinë.
Përse gjithë ato vështirësi tek Ajax?
Prej manisë sime për kontroll. Duhet të bëja sa më shumë gjëra e në mënyrën më të përsosur. Nuk kënaqesha dot me pak dhe nuk pranoja të isha në diskutim. Isha i sëmurë pas futbollit.
Si Sacchi?
Mbase po. Jemi njerëz me ide të ndryshme, por që i përpin i njëjti fiksim.
Përveç karrierës së përfunduar më herët, a keni ndonjë pendesë tjetër?
Që nuk u pajtova dot me Johan Cruijff, idhulli im, mjeshtri im dhe gjithashtu një mik. U nda nga jeta e nuk pata kohë t’i flisja për rëndësinë që kishte pasur për mua.
Përse u grindët?
Ai kishte një projekt që mua më ngjasonte si utopi. Dëshironte t’i besonte Ajax-in një grupi ish-lojtarësh e unë duhet të isha menaxheri i ekipit. Në fund vendosi të mos më përfshinte e unë nuk e kuptova kurrë arsyen e vendimit të tij. Mbase ishte një mënyrë e tij për të më mbrojtur. I shkova në shtëpi për t’u sqaruar, por bashkëshortja e tij më përzuri. Nuk folëm dot më kurrë dhe Johani më mungon shumë edhe sot. Me familjarët e tij u pajtuam.
Keni ndonjë frikë?
Po, që njerëzit të më harrojnë. Sacchi kishte të drejtë, unë jam “me hënë”.