“Poezia është nevoja jonë e panevojshme”. Shkrimtari Paolo Pisano shpjegon sesi terapia e bukurisë letrare na ndihmon të përballojmë këto ditë të veçanta./Konica.al
Poezia është domosdoshmëria jonë e panevojshme”. Në këtë periudhë të izolimit emocional, të gjithë jemi të dënuar për një regjim jete klaustrofobik. Ndiejmë nevojën e një fjale të qëndrueshme, që ushqen zemrën tonë me besim dhe optimizëm; që së paku lejon një tejshikim të fushëpamjes së arsyetimit në ekzistencën tonë. Të gjithë jemi paksa të çorientuar, të humbur si Dantja në pyllin e errët, që është një alegori e ekzistencës njerëzore, plot konfuzion.
Poezia na vjen në shpëtim siç bën Virgjili me Danten: na ofron një busull të brendshme që na lejon të orientohemi në kaosin e botës. Valeriu Butulescu shkruan: “Poezia lindi gjatë natës, kur njeriu sodiste hënën ndërsa ishte i vetëdijshëm se nuk ishte e ngrënshme”. Më duket një përkufizim i përshtatshëm: në kotësinë e Poezisë qëndron forca e saj. Poeti i madh italian i shekullit të tetëmbëdhjetë, Giuseppe Parini, shkruante: “Poezia nuk është e domosdoshme si buka, as e dobishme si gomari apo kau”.
Poezia nuk shërben për asnjeri, sepse nuk është shërbëtori i askujt. Ajo nuk është shërbëtor, por një zonjë, saktësisht si filozofia për Aristotelin. Kur shikojmë një vepër kinematografike, vizitojmë një muze ose dëgjojmë muzikë, nuk e pyesim se për çfarë na shërben ta harxhojmë kohën në këtë mënyrë. Realizmi i një vepre arti, i çfarëdolloj vepre arti, ka si qëllim të vetëm ripërtëritjen, rigjenerimin e emocioneve tona. Ajo që na ofron poezia është një shtrirje emocionale e ekzistencës sonë, që na lejon të mbushim boshllëkun midis teprisë që ndiejmë dhe asaj pak që mund të shprehim. Poeti i madh romantik Keats, ka lënë të shkruar se poezia “make soul”, gjallëron shpirtin, rrit përmbajtjen e shpirtit tonë. Paradoksi është se sa më i rëndë shpirti ynë, aq më shumë ngrihemi lart, në një kërcim antigraviteti, mbi vorbullën e problemeve të përditshme. Lehtësia që na jep poezia e madhe nuk është marrëzi, por siç na mëson Bodëleri në lirikën “Lartësia” – konsiston në privilegjin e të parit të jetës nga lart për të njohur më mirë se sa e vogël kishte qenë ekzistenca jonë e përditshme. Letërsia është një formë vetëmbrojtje e jetës. Të gjithë e dimë se ka pasur poetë dhe shkrimtarë që janë përpjekur gjithashtu të mbështesin kauzat e mëdha të njerëzimit. “Letërsia, thotë Paveze, është gjithashtu një formë e mbrojtjes kundër sulmeve të jetës. Ka poetë që u kanë dhënë një zë atyre që nuk e kishin atë për shkak të angazhimit humanist, për të dëshmuar vuajtjet ekzistenciale, padrejtësitë më të mprehta dhe dhunën më brutale. Shumë poetë, pas periudhave të dhunës kolektive, përmes poezisë i vunë vetes detyrën e “ripërtëritjes së njeriut” (siç shkruante Salvator Quasimodo në periudhën e menjëhershme të pasluftës); ndreqni të gjallët, kthehuni për të mësuar ato vlera morale dhe kulturore që janë baza e çdo komuniteti njerëzor”./Konica.al
Po për çfarë na shërben të lexuarit? Unë besoj se ne lexojmë libra për të forcuar aftësitë tona ekzistenciale, por duhet të mësojmë të lexojmë një libër shumë më të rëndësishëm se ato që ruajmë në raftet e bibliotekave tona: librin e jetës sonë.
Do dëshiroja të citoja rastin e Emili Dikinsonit, zonjë e poezisë amerikane të shekullit XIX, e cila bëri një jetë shumë të izoluar. Lindi, u rrit, jetoi dhe vdiq në shtëpinë e prindërve të saj, pothuajse kurrë nuk u largua. Ajo kishte dhomën e saj të vogël në atë shtëpi të madhe, ku kaloi tërë jetën e saj, një ekzistencë e tërë kushtuar kultivimit të pasionit të saj për poezinë.
Në këtë periudhë që po kalojmë ne përpiqemi të jemi si Emili Dikinson dhe të përpiqemi ta shndërrojmë klaustrofobinë në klaustrofili! Qëndrimi në shtëpi na detyron të eksplorojmë shpellat e shpirtit tonë të mbushur me thesare të papritura. E reja Emili me poezinë e saj i intrigoi të gjithë: prindërit, të afërmit, miqtë, të njohurit pyesnin veten se çfarë fshihte në atë ekzistencë aq mirë të zotëruar. Kujt ia kushtoi jetën me durim dhe ashpërsi të denjë për një alkimist? Pasi vdiq, e motra i gjeti në dhomë rreth 1700 poezi, që u botuan pak nga pak dhe ishin shumë të suksesshme. Kështu bota zbuloi këtë zë të pastër dhe të paharrueshëm.
Uji, pakëson etjen
Etja, dëshira e paplotësuar për diçka, na mëson rëndësinë e asaj që na mungon, që ndoshta e morëm si të mirëqenë. Të gjithë e ndiejmë mungesën e atyre gjërave që na janë dukur gjithmonë të kapshme, të dalim nga shtëpia dhe të bëjmë atë që duam, që i kemi shmangur përkohësisht.
Etja për jetën që rritet çdo ditë brenda nesh, kjo dëshirë për të rifituar zakonet tona, po na mëson se çfarë privilegji kemi pasur dhe së shpejti do të kthehemi të gllabërojmë përditë jetën me dozat që preferojmë. Siç shkruante edhe U. Folkner “Poezia është historia e zemrës së njeriut mbi majën e një gjilpëre”. Të kultivosh interesat e tua kulturore, do të thotë të kultivosh veten, kopshtin e mendjes. Edukimi i poezisë konsiston në pedagogji për shpirtin, që mbron brendinë e jetës. Poezia është nevoja jonë e panevojshme. /Konica.al