MENU
klinika

"Të mos e paguajmë arin me të vërtetën!"

“Shkenca në stres”, fake news në garë me rezultatet

20.03.2020 - 10:38

Koronavirusi po e çon shkencën drejt një rekordi rezultatesh: Nuk ka ndodhur deri më sot që në kohë kaq të shkurtër të kryhen kaq shumë studime.

Si funksionon ‘Shkenca e Shpejtë’ (Fast Science) – dhe cilat janë anët e saj të errëta?

*Nga Ronja Beck, Marie – Jose Kolly

Situata ka ecur shumë shpejt: Nuk kishin kaluar as dy javë që kur autoritetet kineze kishin njoftuar OBSH-në për një virus të ri, të panjohur për ne, dhe gjithçka doli krejt zbuluar –11 janar 2020. Shkencëtarë nga Shangai arritën të zbërthejnë genomin e koronavirusit Sars-Cov-2. Që atëherë bota mori vesh se cili është kundërshtari i saj në ring. Shkencëtarët janë duke kërkuar që prej dy muajsh se si bota ta fitojë ndeshjen. Sa më shumë që ata mësojnë për virusin dhe sëmundjen e shkaktuar prej tij Covid-19, aq më mirë mund të reagojnë pas kësaj politika, institucionet dhe shoqëria.

Koha nuk pret. Vetëm duke mësuar shpejt mund të veprohet shpejt. Tani kërkohet një shkencë që do të japë rezultate të qarta. Tani kërkohet: Shkencë e shpejtë.

Po bëhen studime si kurrë ndonjëherë.

“Shpërndarja e shpejtë e rezulteve shkencore është urgjente”, thotë për gazetën zvicerane “Republik” Kristian Althauser, epidemiolog në Universitetin e Bernës. Dhe që nga shfaqja e epidemisë së koronavirusit shkenca është duke dhënë rezultate. Shumë rezultate.
Këto rezultate janë jo vetëm të shpejta: në rastin e Sars-it dhe Mers-it, dy sëmundje të ngjashme infektive, nuk janë bërë as për gjatë një viti aq shumë studime sa ç’janë bërë deri tani për Covid – 19.
Pra, shkenca i ka ndezur motorët. Para syve tanë po bëhet shkencë në kohë reale sikurse nuk e kemi përjetuar asnjëherë deri më sot.
Prandaj shumica e komunitetit shkencor është e gëzuar: Tanimë, pas një kohe të shkurtër, ekipet e shkencëtarëve kanë krijuar ide rreth mënyrës së krijimit dhe mbi shpërndarjen e virusit të ri. Të tjerët mund të vazhdojnë të punojnë duke u bazuar te këto njohuri. Por shpejtësia në shkencë duhet të paguajë një çmim.

Kur nga shkenca e shpejtë lindin Fake News

Më 31 janar e premte, në një server shfaqet një studim. Nëntë shkencëtarë nga Delhi premtojnë që në titull një sensacion: Virusi i ri Sars-CoV-2 qenka habitshëm i ngjashëm me virusin HIV. Dhe kjo ngjashmëri, shkruajnë ata në paragrafin e parë të studimit të tyre, nuk qenka rastësore.
Pikërisht në mbrëmjen e asaj dite ky lajm shpërndahet në mënyrë virale në të gjitha mediet. “E tmerrshme” – shkruajnë disa në llogaritë e tyre, të tjerë fantazojnë se bëhet fjalë për një “armë biologjike” . Vetëm në 31 janar shkruhen më shumë se 31 mesazhe në Twiter të cilat kanë për temë “HIV”-in dhe koronavirusin.

Por, në të njëjtën kohë në një faqe web-i ku ishte shkruar lajmi, ndodh diçka tjetër. Poshtë studimit shkruhet komenti i parë. Dy minuta më vonë del i dyti – pak më vonë tjetri – para mesit të natës bëhen tashmë pesë.
Një biolog nga Toronto shkruan se studimi është shumë i ngatërruar. Nje gjenetist nga Canberra i kritikon autorët për metodën e tyre defiçitare. Dhe një mikrobiolog nga Berkeley sqaron se shkencëtarët nga Delhi po mbiinterpretojnë për këtë arsye një rezultat rastësor. Ai i mbyll sqarimet e tij me fjalinë: “Urime! Pasi e keni lexuar këtë, ju jeni një bioinformaticien pak më i kujdesshëm dhe më i aftë se autorët e këtij shkrimi.”

Kështu vazhdon gjithë nata. Një koment ndjek një tjetër, një përgjigje ndjek tjetrën. Lind një diskutim i gjerë mbi sekuencat e geneve dhe rastësitë. Dhe po në Twitter shkencëtarët sqarojnë publikun e interesuar mbi problemet e këtij shkrimi.

Çfarë janë Preprint-Server?

Që rezultatet e kërkimeve të botohen dhe të diskutohen në këtë mënyrë, kjo bëhet për arsye të Preprin-Server-ave.

Këto janë faqe web-i të kontaktueshme nga publiku në të cilat kërkuesit dërgojnë një artikull shumë kohë përpara publikimit të tij në një revistë shkencore-prandaj quhen Pre-print. Pas një kontrolli minimal dhe pas 48 orësh shkrimi del në platformë. Serveri Preprint në të cilin autorët nga Delhi botojnë rezultatet e tyre quhet bioRxiv. Ekzistojnë servera të ndryshëm të ngjashëm të cilët janë të specializuar shpeshherë për fusha të caktuara.
Punimi i tyre u shfaq kur autorët menduan se ky punim ishte gati – shumë kohë përpara një vlerësimi nga kolegë të pavarur sikurse është normale në publikime. Sepse ky vlerësim merr shumë kohë. Në variantin Preprint kërkuesit bëjnë të njohur artikujt e tyre menjëherë sapo ata kanë mbaruar së shkruari fjalinë e fundit.

“Sapo doli server Preprint, ne e përdorëm atë’’, thotë Marcel Salathé epidemiolog në shkollën e lartë teknike të Lozanës.

Shumë nga kolegët e tij sidomos të shkencave të natyrës veprojnë në këtë mënyrë. Numri i Preprint-eve të botuara në vitet e fundit është rritur në shpejtësi. Ky shpejtim dëshirohet nga shumë shkencëtarë.
Sepse ata besojnë në aftësinë e sistemit për tu vetëkorrigjuar. Ajo që ndodhi pas publikimit të shkrimit ”Koronavirusi ngjan me HIV-in’’, për ata nuk përbën problem, – por është përkundrazi një provë e funksionimit të sistemit: Pasi përhapet historia e HIV-it, më 1 Shkurt në Twitter, platforma bioRxiv shton për çdo shkrim mbi koronavirusin një kujtesë me sfond në ngjyrë të verdhë: “BioRxiv është duke marrë shumë shkrime mbi Coronavirus 2019-nCoV. Për kujtesë: Këto janë njoftime të përkohshme që nuk janë shndërruar akoma në peer reviewed. Ato nuk duhen konsideruar si të përfunduara, dhe nuk duhet të shërbejnë si udhëzime për praktika klinike ose për veprime që lidhen me shëndetin. Edhe mediet nuk duhet që ti përçojnë ato si informacione të argumentuara.’’

Më vonë ditën e dielë më 2 shkurt reagojnë edhe autorët mbi kritikën ndaj shkrimit të tyre. Që nga ai moment në bioRxiv shkrimi nuk shfaqet më, por poshtë kujtesës në ngjyrë të verdhë është shtuar një kujtesë tjetër. Këtë herë me sfond të kuq: “Ky shkrim është hequr.”

A nuk është heqja e shkrimit një provë që kërkuesit ishin shpejtuar?

‘’Jo’’, thotë epidemiologu Christian Althaus, përkundrazi ky është një shembull i asaj se si duhet të funksionojë procesi. “Në komunitetin shkencor shkrimin për HIV-in e kritikuan që në fillim të daljes së tij. Dhe kjo vlen edhe për shumë studime të tjera për koronavirusin që presin në serverat Preprint”. 

Çfarë do të thotë kjo për njerëzit në botë? 

Shkenca e shpejtë e ofruar përmes qindra-mijëra mesazheve në Twitter ka arritur te shumë lexues të uritur të internetit. Janë ushqyer me një teori falso shumë teori konspiracioni. Dhe ato e përhapin lajmin mbi shkrimin e HIV-it duke e vendosur atë midis shkrimeve skeptike mbi klimën dhe thashethemeve për një armë biologjike.
Që kërkuesit e tërhoqën shkrimin e tyre, këtë e di vetëm një pjesë e atyre që lexuan diku se ‘’Koronavirusi i ngjan HIV-it’’. Një sensacion përhapet shumë shpejt ndërsa mesazhet në twitter nuk mund t’i kthesh më mbrapsht pasi i ke dërguar ato.

Peer review është një mekanizëm sigurese në përzgjedhjen e shkrimeve shkencore, por megjithatë ekzistojnë gjithnjë studime të cilat pas një kohe të caktuar mund edhe tëhiqen si të pavlefshme. Kjo kohë mund të jetë edhe disa vite.

Një shembull shumë i njohur është ai i revistës së mirënjohur ‘’The Lancet’’ e vitit 1998 mbi një studim të botuar nga mjeku britanik Andrew Wakefield. Ai u betua në këtë shkrim se kishte gjetur një lidhje midis autizmit dhe vaksinës kundër fruthit, shytave dhe lisë. Rezultatet e Wakefield nuk u ripërsëritën në studimet e mëvonshme. Ato ishin fallco.

Vetëm në vitin 2004 Wakefield-i doli zbuluar: Ai ishte paguar nga avokatët e prindërve autikë që donin të hidhnin në gjyq prodhuesit e vaksinës. Në vitin 2010 ky studim u refuzua përfundimisht. Por, idetë e Wakefield po qëndrojnë akoma edhe sot – dhe e kanë çuar numrin e rasteve të fëmijëve të sëmurë me fruth shumë lart, sepse prindërit nuk i vaksinojnë më fëmijët e tyre.

Ndoshta do të kishte ndodhur ndryshe nëqoftëse Wakefield dhe kolegët e tij do të kishin botuar fillimisht një Preprint. Ai që përdor rezultate spektakolare duke punuar në rrugë të pistë, do të zbulohet shumë shpejt në komente, sikurse ndodhi edhe me autorët e shkrimit HIV.

Faktori vendimtar: Koha

Një shkrim mbi Koronavirusin të cilin komuniteti ndoshta do ta kishte zbuluar nëqoftëse do të ishte botuar si Preprint është “shkrimi mbi gjarpërinjtë”. Në atë artikull që u botua më 22 janar, një grup kërkuesish kinezë njofton se gjarpërinjtë ishin mbartëswit e koronavirusit te njerëzit.

Artikulli del në ‘’Journal of Medical Virology’’ – pas Peer-Review. Një ditë pas publikimit më 23 janar shkenctarët e grisin copash ‘’shkrimin mbi gjarpërinjtë’’.

“Ky është për në plehra’’ citon ‘’Wired’’ një zoolog nga Sydney.

Megjithatë, CNN publikon shkrimin më 24 janar pa e shoqëruar atë me kritikë. ‘’Gjarpërinjtë mund të jenë burimi i shpërthimit të Koronavirus në Wuhan’’, thuhet në portalin e lajmeve që i drejtohet miliona përdoruesve në botë. Tani studimi përhapet me Twitter në mënyrë virale. Dhe megjithëse shkencëtarët e kanë hedhur poshtë këtë shkrim prej kohësh si një marrëzi ai vazhdon të endet në rrjetet sociale. Ai vazhdon të jetë akoma i pandryshuar në faqen e webit ‘’Journal of Medical Virology’’.

Përse? Kjo mbetet e paqartë: Botuesit nuk i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të gazetës zvicerane ‘’Republik’’ Lidhur me këtë rast.

Lidhur me rastin e Koronavirus-it ne kemi të bëjmë si me një rast të etheve të floririt. Kërkuesit duan të jenë mundësisht të parët në dhënien e rezultateve: Të parët që gjejnë një medikament. Të parët që gjejnë një vaksinë.

“Por kjo hektikë – siç thotë filozofi i Universitetit të Kopenhagenit Vincent Hendricks, nuk duhet të çojë në neglizhim të metodave”. Ashtu sikurse ka nevojë për kohë për nxjerrjen e rezultateve shkencore, po për aq kohë ka nevojë edhe për pohimin ose kundërshtimin e tyre.


Në shkencë koha është shumë e rëndësishme.

Këtë e tregoi edhe virusi i para disa viteve: Ebola, e cila la të vdesin 50%-90% e të sëmurëve. Që nga epidemia e 2014 deri 2016 në afrikën veriore shkencëtarët kërkuan principe të ndryshme aktive antivirale në një kohë shumë të shpejtë përmes testeve klinike.
Disa prej tyre arritën shifra të habitshme të shërimit të pacientëve. Të tjera, si medikamenti Remdesivir, nuk ndihmuan në luftën kundër Ebolës – pikërisht për këtë shpresohet që të veprojë kundër Sars-CoV-2.
Ebola solli provën: kërkimi i shpejtë dhe i mirë në mes të një situate krize është i mundur.
Një sjellje e përgjegjshme me shkencën e shpejtë është e rëndësishme sepse pasuria që fiton shkenca në fund është e papagueshme: Besimi.

Sepse bota mund ta fitojë luftën kundër koronavirusit kur politika mbështetet në këshillimet e shkencës – dhe kur ato janë të besueshme në sytë e publikut. Ne duhet të kemi besim se shkencëtarët kanë qëllim të bëjnë gjënë më të mirë.

Të gjithë ne jemi të etur për dije si në ethet e arit. Të bëjmë kujdes që arin të mos e paguajmë me të vërtetën.

/Përktheu : Mihallaq Zilexhiu nga zvicerania Republik