- Gjembaçi
Në një të ardhme të afërm, që mezi po e presim, ndoshta disa javë prej sot, do mblidhemi si dikur bashkë, e patjetër do kujtojmë kohën që po kalojmë tani, në karantinë. Edhe kur kujtesa dalë-ngadalë do na zbehet e më pas do harrohen shumë gjëra, përsëri do t’i referohemi kësaj kohe të veçantë e kaq tragjike. Në histori periudha të tilla marrin emra të veçantë si psh. “periudha Bizantine”,“koha e Skenderbeut”, …e Zogut“,.. e Enverit”, ”97″-ta etj. Po kështu, do ta quajmë të tanishmen: “koha e karantinës”, e “coronavirusit”, apo e “covid-19”.
Këta të fundit, emra të virusit, duken si më të përshtatshëm për librat që do shkruhen, për punonjësit e shëndetësisë, për laborantë e shkencëtarë që do ta studjojnë këtë virus.
Janë jo vetëm emra të vështirë për t’u mbajtur mend, në biseda të lira, por edhe disi të bukur për një flamë virus.
Po sikur ta “pagëzojmë” me një emër tjetër, shqip, që mbahet mend, i shkon dhe i takon. Meqënëse, siç na thonë, ky virus ka formëm e një gjyle me maja maja si gjemba, le ta quajmë “virusi gjembaç” ose shkurt, “gjembaç”. Është tamam si gjembaçi me gjembat që e rrethojnë, që me to mbërthehet fort në indet tona, e i çpon deri sa i sakaton.
Kjo e bën më të lehtë për ne që ta quajmë këtë kohë, “koha e gjembaçit”.
I vetmi dyzim që lind, e nuk i jap dot përgjigje është: -vallë, cili do të ndjehej më tepër i “ofenduar”, virusi apo gjembaçi i vërtetë?!
- Trimat e “gjembaçit”
Po sakrifikojmë të gjithë, për një qëllim të lartë, në këto ditët e “qametit”, gjithçka për jetën. Jemi futur në karantinë që të fitojmë një luftë, sa më shpejtë e me sa më pak humbje. Kemi zgjedhur armën më efikase dhe nuk e mbajmë sekret, se armiku ynë virus gjembaçi, nuk ka vesh, sy, gojë, vetëm shkatërron kuturu cilindo njeri që e takon.
Por gjatë orarit të “pushimit” shohim ende disa “trima” që i bëjnë shoqëri gjembaçit. Disa tipa të rrallë tashmë, dalin serbes në qejfin e tyre, si “qëmoti”, pa ia bërë “syri tër” nga virusi vrastar. Sikur me karshillëk na “thonë” – Hej, ne jemi trima, po ju… rrini brenda, frikacakë, bile ka nga ata që na bëjnë thirrje për të “rifituar” të drejtën e liridaljes. E bëjnë këtë që t’u rritet audienca dhe admirimi?! A thua se janë këta pasuesit e trimave të mbetur që nga koha e shpatave dhe legjendave, të cilëve populli u ka thurur këngë e vargje? Po neve, vallë ç’farë na shtynë të rrimë në “llogore” pa lëvizur, frika apo trimëria?!
Kjo dilemë s’do kishte diskutim, nëse nuk do prekte interesa themelore, të të gjithëve.
Fjalori shqip-shqip ma dha zgjidhjen, te fjala trim. Kuptimi ishte i prerë: “trim… njeri guximtar e i patrembur nga vdekja, në luftë e para çdo rreziku…”. Domethënë, këta që dalin “si qëmoti”, qenkan trima me të vërtetë. A jemi në kohë lufte e rreziku? Po, e thotë gjithë bota! A u trëmbet atyre syri nga ligji apo gjembaçi? Jo! Atëherë janë tamam trima, sipas përkufizimit të fjalorit.
Kam parë “trima” që s’venë rripin në timon, apo zinxhir rrotave në rrugë me akull e borë, thjesht sepse “… bëjmë si shokët, mos koritemi ”.
E kam ditur trimërinë ndryshe. Pak a shumë, si veprim guximtar i arsyeshëm dhe i motivuar, shkurt si – guxim plus arsye. Kjo “formulë” nuk lejon të bëhesh trim me vend e pa vend. Por,sa më shumë t’i japim gjembaçit jetë, aq më gjatë do ta kemi “mysafir” të paftuar; sa më shumë të rrimë “qetë” në llogoret tona aq më shpejt do e këpusë qafën virus gjembaçi.
Ndryshimet kanë filluar, trimat po rrallohen, se po funksionon logjika e bindja, por unë përsëri pyes: -kush janë frikacakët?
- Gjyqi i coronavirusit
Frika, dëshpërimi për jetët e humbura,…jeta në karantinë, na nxit edhe nevojën e humorit. Thonë se tragjedia e komedia në çdo histori janë bashkë. Humori është një ndjenjë e domosdoshme që prodhon psiqika njerëzore, një ilaç, vaksinë në gjëndje të rëndë shpirtërore, që rrit imunitetin për vetëmbrojtje deri në normalitet. Siç ka thënë një poet i madh:
–Mos u ngrys prej dëshpërimit, Nëse jeta të gënjen, Hesht në ditët e mundimit, Rishmëz dita e gazit vjen.
E zemë se këto rreshta po i shkruaj pas disa javësh…jemi të sapo dalë nga ngujimi, të plogësht, të pa sigurtë për fitoren përfundimtare prej luftës kundër një virusi që tronditi jetën, sigurinë, standartet, bindjet, rutinën, gjithëçka tonën njerëzore.
Si në çdo luftë, ka fitues dhe humbës e sipas ligjeve të luftës, fajtori duhet të gjykohet, të japë llogari për vrasjet makabre e dëmet e mëdha që solli.
Sigurisht, me imagjinatë po udhëtoj pak para në kohë, për gjyqin më të madh të kohërave, të coronavirusit alias covid-19, që në gjuhën popullore mund ta quajmë edhe virus gjembaçi.
Sikur jam në sallën e gjyqit, ku palët, njerëzimi përballë një virusi, humbësit, një grimce më të vogël se qeliza, një gjysmë gjallese plot gjemba, pa sy, pa gojë, që po gjykohet për dhjetra akuza, krime ndaj njerëzimit, të bëra prej kohësh publike nga prokurorët më të sprovuar nga disa vetingje.
Trupi gjykues nuk përbëhet nga njerëz, sepse përbën konflikt interesi, që të ruhet e drejta e prezumimit të pafajësisë. U vendos që gjyqin ta drejtonte ndërgjegja e pastër dhe e kulluar, ajo që i kishte bërë vet të gjitha vetingjet e drejtësisë, policisë, ushtrisë, zyrtarëve dhe më pas…mbase edhe të politikanëve.
I vetmi problem i vështirë kish qënë gjetja e avokatëve të palëve, sidomos ai i mbrojtjes të të pandehurit, virus coronës. Duhej një zgjidhje, por ama pa shkelë të drejtat themelore. Avokati duhej të ishte vullnetar nga fusha e mjekësisë, i pa gjykuar, i cili duhet ta bënte mbrojtjen me përkushtim, që kishte dhënë prova në këtë fushë. Ky problem u zgjidh vet, natyrshëm. Avokat midis disa vullnetarëve nga pala mbrojtëse u zgjodh DV-ja (dikush mund ta kuptojë si “Dora vetë”), por për hir të privatësisë dimë vetëm inicialet.
Gjyqi u bë me dyer të… shqyera, sepse s’mund të përmbaheshin turmat nga interesi për një dënim kapital të corona gjembaçit, armikut më të madh të njerëzimit, në të gjitha kohërat.
Sidomos gjakrat u ndezën pas pretencës së prokurorit që akuzoi coronën për një sërë veprash të rënda si: vrasje, shkatërrim ekonomie, cënim të liridaljes së njerëzve, goditje psikologjike etj. Pretenca mbyllej me kërkimin e një dënimi shembullor, sigurisht me vdekje.
Por edhe fjala e avokatit të coronës ishte mbresëlënëse. Megjithëse nuk u botua, pak a shumë DV-ja tha këto copëza që më kanë mbetur në kujtesë: “…të nderum gjyqtarë, kundërshtoj parafolësit…ata janë narko… kripto… të njerëzve… me maskë… që ua dha shteti. Ai është… e di un kush… por, ua them unë ju. Zoti ka ba njerëzit, ka ba dhe corona viruset. Edhe ato duhet të ushqehen… Ju bëtë një grusht shteti… njerëzit i mbylli shteti jo dëshira… komplot që nisi këtu tek ne… u zgjat nëpër Evropë… kaloi përtej oqeanit… por corona iu qep pas… poshtë maskat…”.
Avokati vazhdoi me shembuj bindës se, edhe njerëzit kanë vrarë njeri-tjetrin, jo vetëm në luftra, por edhe në kohë paqeje… në demokraci, se nuk janë dënuar fare etj.
Fjalët e DV-së ndezën shpresat e coronave edhe pse nuk dëgjonin e s’kuptonin, por ndjenë një tejnxehje që u shkriu koracën mbrojtëse, duke firuar një pjesë të ushtrisë së tyre të panumërt.
E ndërsa pritej vendimi përfundimtar i Jurisë, befas më shkoi një pyetje në mendje:
E zemë se trupi gjykues do të japë dënimin maksimal për covid-19, si do të ekzekutohet ky vendim kur njerëzit akoma nuk dinë si ta zhdukin përfundimisht këtë virus?!
Stavri Sinjari