Universiteti i Shkodrës përmes një njoftimi lajmëron studentët dhe pedagogët për pezullimin e procesit mësimor deri në datën 3 prill, në kuadër të masave të marra nga qeveria për pengimin e përhapjes së koronavirusit në vend.
Vendimi ka hyrë në fuqi ditën e sotme, ndërkaq përmes njoftimit studentët po ashtu lajmërohen se do të vijojnë marrjen e leksioneve përmes komunikimit on-line me pedagogët.
Duke njohur vështirësit e procesit të mësimdhënies on-line, universiteti inkurajon pedagogët në punën e tyre akademike, teksa thekson se praktikimi i kësaj metodologjie mësimdhenie ka nisur që në datë 18 mars.
“Është koha të punojmë, sepse çdo çast i humbur është në dëm të studentëve tanë”, thuhet në fund të njoftimit.
Njoftimi i plotë i Universitetit të Shkodrës:
“Të dashur studentë të Universiteti të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”!
Të nderuar kolegë dhe punonjës të USH-së!
Rektorati i USH ju përshëndet të gjithëve dhe dëshiron që të jeni sa më mirë ju dhe të dashurit tuaj. Pandemia COVID-19 e përhapur jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën, ka shkaktuar marrjen e masave ekstreme nga qeveria. Duam t’ju kujtojmë se zbatimi i këtyre masave nga të gjithë së bashku ndihmon në mospërhapjen e infektimit, si dhe në ruajtjen e shëndetit të familjarëve tanë dhe gjithë bashkëkombësve.
Si rrjedhim i këtyre masave Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me urdhrin nr. 153 datë 20 mars 2020 ka vendosur ndërprerjen e procesit mësimor deri me datën 03 prill 2020, duke shpresuar se kjo mund të jetë data kur të fillojmë përsëri procesin mësimor në auditore.
Të dashur studentë!
Universiteti ka filluar mësimin on-line. Shumë nga ju janë tashmë të lidhur me pedagogët tuaj kanë vijuar punën duke shkëmbyer leksione, ushtrime, detyra, si dhe duke u konsultuar me to drejtëpërsëdrejti. Nga ju kërkohet që të merrni pjesë në mësimin on-line, pasi kjo do të vlerësohet nga pedagogët në fund të procesit. Për të gjithë ato që kanë pasur vështirësi të lidhen me platformat on-line të ofruara nga pedagogët tuaj, në ndihmë do ju vijë stafi i IT-së së Universitetit, i cili ka ofruar platformën Moodle që aktualisht është në përdorin në universitet si platforma të tjera që janë free access për t’u përdorur nga stafi akademik. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve, që të marrin pjesë aktive në mësimin on-line, pasi kjo është shumë e rëndësishme për vijueshmërinë e procesit mësimor.
Të nderuar kolegë!
Për gjithë ne nuk është e thjeshtë të fillojmë të punojmë me një sistem që shumë nga ne nuk e kanë praktikuar. Natyrisht do të kenë vështirësi, të cilat do ta ngadalësojnë procesin mësimor. Është shumë e rëndësishme për studentët tanë, që ne të tregohemi të guximshëm për futjen e kësaj metode të re në sistemin tonë, metodë e cila në të ardhmen mund të zërë një vend të rëndësishëm në punën akademike. Me vendimin nr. 152 datë 18.03.2020 Rektorati i USH-së është shprehur për fillimin e këtij procesi mësimor, i cili është duke u zbatuar nga një numër gjithnjë në rritje i stafit akademik.
Njësitë kryesore kanë për detyrë të mbështesin të gjitha alternativat që ofrojnë departamentet për mësimin on-line. Për këtë proces nuk ka receta të gatshme. Në informacionin e dërguar gjithë stafit akademik nga Drejtori i IT së USH-së, janë përcaktuar platformat e mësimit on-line, të cilat mund t’ju mbështesin shumë mirë. Si universitet kemi inkorporuar dhe trajnuar stafin e IT për platformën Moodle Të gjitha platformat e tjera, që mund të përdoren nga ju janë të mirëpritura, mjafton që të realizojnë qëllimin e përbashkët, mësimdhënien sa më cilësore të mundshme. Është koha të punojmë, sepse çdo çast i humbur është në dëm të studentëve tanë.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin Rektorati i USH-së shpreh bindjen se së bashku do të arrijmë të mbyllim me sukses vitin akademik 2019-2020.
Ju urojmë shëndet të mirë dhe punë të mbarë!
Rektorati i USH”, shkruhet në njoftimin e univeristetit.