Një botë e re aliene, një monstër kozmike e madhe sa Jupiteri me orbitë rreth një ylli, që është sa gjysma e Diellit, pasuron listën e planetëve të zbuluara, që ka arritur në më shumë se 3000.
Ky planet, i quajtur NGTS-1b, përshkruhet në një studim që pritet të publikohet në revistën shkencore “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”. NGTS-1b është planeti i parë i zbuluar nga një rrjet prej 12 teleskopësh të gjeneratës së fundit në shkretëtirën Atacama, në Kili, pjesë e programit “The Next-Generation Transit Survey” (NGTS) i Observatorit Evropian Jugor (ESO).
Sipas teorisë së krijimit të planetëve nuk duhet të ekzistonte dhe shkencëtarët nuk dinë të japin asnjë shpjegim për momentin.
NGTS-1b është një planet gjigant, sa Jupiteri, por ylli nënë rreth të cilit ka orbitën dhe që e përshkruan për 2,6 ditë është më i vogël. Aq i vogël, sa që për shkencëtarët mbetet një mister i vërtetë, si ka mundur të thithë një sasi kaq të madhe materiali për të krijuar një planet gjigant në një distancë të afërt.
Ky zbulim hap, sipas shkencëtarëve, skenarë interesantë. Peter Wheatley, i universitetit të Warwick dhe një prej studiuesve, thekson se “meqenëse ylli nënë i NGTS-1b është shumë i zakonshëm në univers, është e mundur që të ekzistojnë shumë planetë të tjerë gjigantë, që presin vetëm të zbulohen”.