MENU
klinika

Jo vetëm "Oh"...

Zbulohet romani i pabotuar i Anton Pashkut

01.03.2020 - 17:35

       Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të letërsisë moderne shqipe, Anton Pashku njihet sidomos për romanin “Oh”. Pena e tij është vlerësuar veçanërisht për frymën e re dhe risitë në letërsinë shqipe, në stil dhe koncept. “Oh”, i vetmi roman i botuar i tij, konsiderohet edhe si kryevepra e  autorit. Por, nuk është ky, i vetmi roman i shkruar nga Pashku. Sikurse ka rrëfyer i biri, Paulin Pashku, babai i tij ka lënë në dorëshkrim një roman që e ka shkruar më 1994, vetëm një vit para se të vdiste.

I ftuar në një prej televizioneve në Kosovë, i biri prokuror, ka thënë se romani i të atit mbetur në dorëshkrim, titullohet “Tri hije në Bruksel” dhe sipas përshtypjeve të tij, është një roman atipik i Anton Pashkut, pasi ngjason me një roman policor, diçka e pazakontë për veprën e tij.

***
Lindi në Grazhdanik të Hasit të Thatë,[2] afër Prizrenit, i biri i Toninit dhe Getës. I ati ishte nga Karashëngjergji dhe punonte bukëpjekës, ndërsa e ëma nga Zymi. Familja e tij u takonte Bytyçëve, i fisit Thaç, mbiemri Pashku u mbeti nga emri i gjyshit. Pak pasi lindi, familja u vendos në Prizren, ku kaloi fëmijërinë. Ndërkohë, më 1951 i ati me familjen u zhvendos në Prishtinë, e Antoni vijonte shkollimin në Prizren.

Shkollën fillore dhe pesë klasë të gjimnazit të ulët i kreu në Prizren, kurse tri klasat e gjimnazit real, bashkë me maturën, në Prish­tinë. Që nga viti 1958 punoi në gazetën “Rilindja”, në fillim gazetar e më vonë redaktor i rubrikës së kulturës. Më 1971 qe ndër firmëtarët (Rexhep Smajli, Gani Bobi, Ali Podrimja, Mensur Raifi) e shkrimit Vox Clamantis in Deserto tek “Rilindja”, shkrim që u pagëzua si manifest ku kritikohej gjendja kulturore dhe kanonet estetike dhe skandali mori gati përmasa politike.

Më 1973 u inkuadrua në Re­daksinë e Botimeve të NBG “Rilindja”, redaktor i prozës dhe dramës. Pashku ka qenë edhe redaktor i revistës letrare Jeta e Re dhe revistës Fjala. Ka shkruar kryesisht tregime, romane, drama. Tregimin e parë e ka botuar më 1955 në revistën letrare “Jeta e Re”.

Cilësohet në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Kapllan Resulin, Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak” dhe librin e tij kushtuar tymit, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”.

Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh”, ka shënuar një ndikim të ngadalshëm, por të fortë në prozën shqipe, prej kohës së botimit.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN