MENU
klinika

Korrespodentja e revistës Time mohon këto pretendime

A ishte UÇK një organizatë kriminale, terroriste dhe islamike?

15.04.2020 - 18:46

Stacy Sullivan*

Qysh prej vitit 1998, kur lufta shpërtheu në Kosovë, ka pasur deklarime të vazhdueshme në medie se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim kriminal, terrorist dhe islamist, ose më saktë, kishte lidhje me Al Qaeda-n dhe ishte financuar me para të drogës përmes rrjeteve kriminale shqiptare. Në fillim të luftës, revista të tilla si Time raportonin se inteligjenca e Shteteve të Bashkuara besonte se Garda Revolucionare Iraniane po i stërviste luftëtarët e saj. Gazeta serbe Nedeljni raportonte se muxhahedinët kishin ngritur një kamp stërvitor në veri të Shqipërisë për t’i përgatitur kryengritësit.

Në një kolumne në New York Times, William Safire shkruante se luftëtarët çeçen kishin shkuar në Kosovë për t’i ndihmuar kryengritësit shqiptarë në luftën e tyre për mëvetësi. Të tjera akuza të zakonshme ishin se UÇK ishte financuar prej rrjeteve kriminale shqiptare – trafikimi i drogës dhe femrave – që ishin rrjetëzuar prej kohësh në Evropë. Akuzat dukej se kishin besueshmëri jo vetëm se disa prej tyre vinin nga burime me nam, por edhe sepse UÇK-ja u shndërrua nga një grup i panjohur i militantëve ruralë në një lëvizje guerile në rritje brenda pak javësh. Dosido, lëvizja rebele po merrte trajnime dhe mbështetje prej diku.

Mundësia që muxhahedinët dhe organizatat islamike të kenë ndihmuar UÇK-në nuk ishte krejt larg mendsh ngase Al Qaeda ishte rropatur të krijonte një shtrojerë në Shqipëri në fillim vitet ’90 përmes një rrjeti të bamirësive. Përveç kësaj, shqiptarët që vinin nga një regjim shtypës në një nga pjesët më të varfra të Evropës, ishin të njohur për përfshirje në qerthujt kriminalë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Kur nisa raportimin për UÇK-në në vitin 1998, kjo ishte storia që doja ta qëmtoja. Në vend të kësaj gjeta një kontraktor shqiptaro-amerikan i quajtur Florin Krasniqi, i cili po drejtonte diçka që quhej fondi ‘Vendlindja thërret’ nga zyra e kompanisë së tij për pullaze ‘Triangle General Contractors’. Krasniqi, tok me biznesmenë të tjerë shqiptaro-amerikanë, kishte krijuar degën amerikane të fondit ‘Vendlindja thërret’ në vitin 1997.

Në të vërtetë, fondi ishte themeluar disa vite më parë nga një grup emigrantësh kosovarë në Zvicër që gjakonin për zhvillimin e luftës për pavarësi. Por që nga themelimi i UÇK-së, ishte shtrirë dhe kishte degë në Gjermani, Austri, Norvegji, Danimarkë, Francë, Suedi, Itali, Belgjikë, Kanada dhe Australi. Ditën që ecja nëpër zyrën e Krasniqit në prill të vitit 1998, qindra njerëz nga komuniteti shqiptar i Nju Jorkut u ndalën aty me çeqe dhe para të gatshme, të cilat Krasniqi i vuri në një kuti poshtë tavolinës së tij. Ai më tha se teknikisht fondi ‘Vendlindja thërret’ ishte një organizatë bamirëse.

Në letër, ajo ishte bërë që të ndihmonte nevojtarët në Kosovë dhe Shqipëri, kështu që të gjitha dhurimet ishin të gjurmueshme sa i përket të hyrave. Për shkak të këtij statusi, Krasniqi duhej të provonte të mbante arsyetimin se paratë e fondit do të përdoreshin për qëllime humanitare. “Më pëlqen të mendoj se kontributet po shkojnë për t’i ndihmuar refugjatët që janë zhvendosur prej luftimeve”, më tha. “Natyrisht, nuk mund të jem asnjëherë i sigurt se ku përfundojnë paratë kur arrijnë në Shqipëri. Nëse përdoren për të blerë armë, kjo nuk është puna ime”.

Siç do të shihej, shumë prej parave të shqiptaro-amerikanëve të dhuruara për fondin ‘Vendlindja thërret’ u përdoren për të blerë armë, mijëra prej të cilave ishin të qasshme në Shqipëri pas trazirave të 97’ës që i lanë depot e vendit të hapura për plaçkitje. Armë të tjera, pushkë snajper me kalibër 0.50 dhe armë të tjera ishin porositur legalisht në Shtetet e Bashkuara dhe ishin bartur në Shqipëri e më pas ishin dërguar drejt kufirit me Kosovën. Midis vitit 1997 dhe 1999, Krasniqi vlerëson se dega amerikane e fondit ‘Vendlindja Thërret’ mblodhi rreth 30 milionë dollarë.

Nuk ka ndonjë mënyrë për t’i verifikuar këta numra, meqë një pjesë e tyre ishin dhënë në dorë dhe më pas ishin bartur në Shqipëri, por pranimet dhe transferet bankare të ‘Vendlindja thërret’ flasin për të paktën 10 milionë dollarë. Vlerësohet se janë rreth 400 mijë njerëz më prejardhje shqiptare në Shtetet e Bashkuara, të përqendruar kryesisht në zonën e Nju Jorkut, Çikagos dhe Detroitit, dhe ata janë një grup i afërt me njëri-tjetrin dhe tërësisht i përkushtuar për atdheun e tyre.

Deri në vitin 1998, ata ishin një komunitet emigrantësh pak i njohur, por ishte mjaft i kamur me biznesmenë të vegjël që kishin restorante dhe kompani ndërtimore. Për tetë vite sa ishte në pushtet Ibrahim Rugova, kryetar i Republikës së vetëshpallur të Kosovës, ata kontribuuan me 3 për qind të të hyrave të tyre për të mbështetur qeverinë, shkollat dhe spitalet që i krijoi partia e Rugovës, që do të thotë se komuniteti ishte mësuar tanimë me kontribute të tilla, kështu që nuk është larg mendsh që ata të kenë kontribuar me ato shuma që thotë Krasniqi.

A është e mundur që disa nga milionat që shqiptarët ia dhuruan arkave të degëve të ‘Vendlindja Thërret’ në Amerikë dhe Evropë të përfshinin edhe para të pista? Natyrisht se është. Pakica e emigrantëve shqiptarë që ishin kredhur në veprimtari kriminale nuk ishin imun ndaj patriotizmit dhe shumë prej tyre sigurisht se kanë kontribuar për kauzën. Por shumica e parave erdhën nga portierë, mbikëqyrës punimesh, vozitës taksish, mekanikë, punëtorë ndërtimtarie dhe të restoranteve, plot prej të cilëve organizonin darka për mbledhje fondesh të cilat i mbuloja.

Paul Hockenos, që ka studiuar diasporat ballkanike në Evropë, erdhi në një përfundim të ngjashëm. Edhe pse ai pranonte që qindra kilogramë heroinë kaluan përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë, deri në shkallën sa Interpoli në vitin 2000 vlerësonte se shqiptarët kontrollonin 40 për qind të tregtisë evropiane të heroinës, ai përfundonte se nuk ishin baronët e drogës ata që kontrollonin UÇK-në.

‘…Burimi mbizotërues i armëve dhe parave të UÇK-së nuk ishin kriminelët por popullata enorme e diasporës që kishte ikur nga politikat e Millosheviqit. Kontributet për armatimet e UÇK-së vinin prej të njëjtëve emigrantë që kishin depozituar miliona marka gjermane në llogaritë e shtetit në hije (të LDK-së). Një pjesë e fondeve të UÇK-së mund të kenë qenë para të pista por kjo nuk e shpjegon UÇK-në’.

Sa i përket akuzave se UÇK pranonte para dhe luftëtarë nga grupet islamike, unë thjesht nuk gjeta kurrë ndonjë dëshmi për këtë. Në qershor 1998, unë shkova në veri të Shqipërisë për të zhbiruar disa thashetheme se Garda Revolucionare Iraniane ishte duke stërvitur UÇK-në. Për javë të tëra, unë brodha gjithandej viseve të largëta duke vizituar kampe të ndryshme stërvitore të UÇK-së. Ajo çka gjeta ishin ca kampe primitive kufitare përplot me burra prej 15 deri në 70 vjeç dhe me profesione prej bujqve deri te doktorët. Shumica e tyre kishin ikur gjatë mësymjes serbe dhe kishin kaluar kufirin në Shqipëri për të kërkuar armë dhe trajnime sesi t’i përdornin ato, me qëllim të kthimit dhe mbrojtjes së shtëpive të tyre. Burrat po ushqeheshin me bukë, djathë dhe domate, të gjitha me bujarinë e fshatarëve lokalë dhe pranonin vetëm stërvitje të pagdhendura, kryesisht prej oficerëve ushtarak shqiptarë, para se të ktheheshin në Kosovë.

Gjatë dy viteve sa e mbulova konfliktin në Kosovë, as edhe njëherë të vetme nuk pashë luftëtarë muxhahedinë që i kisha parë në Bosnjë, apo të kem dëgjuar ushtarë të UÇK-së të aludonin në ndonjë lloj përkushtimi ndaj Islamit.

Shumë thoshin se ofendoheshin prej akuzave të tilla, krenoheshin se dikur kishin qenë katolikë para se të vinin osmanët dhe t’i konvertonin dhe thoshin se feja e tyre e vetme ishte shqiptarizma. Do të ishte vetëm në prill të vitit 198, kur një francez me origjinë egjiptiane i quajtur Claude Chiek Ben Abdel Kader, që thuhet se ka qenë operativ i Al Qaeda-s, iu qas Komandës Supreme të UÇK-së në Tiranë duke i ofruar armë, para dhe luftëtarë. Edhe pse UÇK-ja ishte në nevojë për të gjitha këto, Komanda Supreme refuzoi.

Përmes kanaleve të saj te Qeveria shqiptare, Shtetet e Bashkuara kishin bërë me dije se nuk do të toleronin që kryengritësit të pranonin ndonjë ndihmë prej fundamentalistëve islamik. Krasniqi kujton se kishte qenë i nxituar kur u bë ky refuzim. “Unë do të kisha marrë para edhe nga djalli asokohe, doja që ata t’i pranonin”, më tha ai. ‘Unë nuk kisha interes në ngritjen e një shteti islamik ose të punoja me terroristë, por doja lirinë për popullin tim, isha i inatosur që ata refuzuan ndihmën’. Në retrospekt, Krasniqi thotë se sidoqoftë ky ishte vendimi i drejtë.

Nuk ka pasur asnjë raport që të ketë dhënë ndonjë hollësi për lidhjet islamike të UÇK-së dhe Kosova mbetet një entitet i palëkundur sekular pavarësisht ndikimit të fortë të UÇK-së në periudhën e pasluftës. Kur disa komandantë dhe luftëtarë të UÇK-së u sollën para gjyqit të Hagës për krime lufte ndaj civilëve serbë, historia e ushtrisë kryengritëse ishte hulumtuar tërësisht  dhe akuzat për para kriminale dhe lidhje me fundamentalistët islamikë ishin hedhur poshtë.

*Stacy Sullivan ka mbuluar ngjarjet e luftës në Kosovë për revistën TIME. Që nga viti 2007, ajo ka qenë këshilltare e kundër-terrorizmit në Human Rights Watch.

(Shkëputur nga Anna Di Lellio, The Case for Kosova, Passage to Independence, Anthem Press, 2006, ff. 103-107)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deputeti i Vetëvendosjes akuzon

‘Thaçi po ia shet Kosovën Serbisë’


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët