Situata që ka krijuar izolimi, ka sjellë politika të reja punësimi. Gjigati i shitjeve online “Amazon”, pasi ka punësuar rreth 100,000 punëtorë muajin e kaluar, njofton se është në kërkim edhe të 75,000 të tjerëve. Kjo, siç kanë theksuar drejtuesit, duhet më shumë personel për të përballuar rritjen e kërkesave.
Izolimi në masë, ka shtuar konsiderueshëm blerjet online.
“Ne mirëpresim këdo që është pa punë, për t’u bashkuar me ne në “Amazon”, derisa të kthehemi në normalitet”, – kanë theksuar menaxherët e kompanisë, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Mbi 17 milionë amerikanë, raportohet të kenë humbur vendet e punës në SHBA, gjatë tri javëve të kaluara, prej izolimit pandemik.
Muajin e kaluar, “Amazon” ka punësuar personel shtesë në SHBA, prej rreth 100,000 vetash, për të përmbushur porositë online, në ushqime dhe ilaçe për klientët ekzistues. Njëkohësisht, kompania vlerëson se ka edhe një listë pritjeje, me klientë të rinj.