Viti 2020 do të mbahet mend gjatë në botën e sportit, kjo për shkak se shumica e aktiviteteve të saj janë pezulluar. Me një situatë të tillë po përballet edhe Moto GP që duhej të kishte zhvilluar një pjesë të mirë të garave të këtij sezoni, por Covid-19 i ka lënë pas me planet.
Ditën e sotme, Moto GP vendosi të anulojë edhe 3 Çmime të Mëdha, duke e dërguar në 8 numrin total të garave të pezulluara deri më tani. Përmes faqes zyrtare, Moto GP njoftoi se nuk do të zhvillohen Çmimi i Madh i Gjermanisë, Holandës dhe i Finlandës, planifikuar për t’u mbajtur më 21 qershor, 28 qershor dhe 12 korrik.
Një vendim i pritshëm ky nga ana e tifozëve që për herë të parë nuk do të shikojnë një garë në Assen, pistën e Holandës që ka marrë pjesë në të gjithë edicionet e garës me motora. Ndërkaq, Finlanda debutonte këtë sezon në pistën e “Kymi Ringut”, por gjendja e pandemisë preu në mes ëndrrën e tifozëve.
Botërori i Moto GP ishte parashikuar të niste më 8 mars në pistën e Katarit, ndërkohë që tashmë, data e mundshme për të filluar kampionatin është 9 gushti me garën e Brno në Republikën Çeke.