MENU
klinika

Çfarë e pret ekonominë shqiptare?

Banka Botërore: Shqipëria në recesion këtë vit

09.04.2020 - 11:02

Banka Botërore ka publikuar këtë të enjte raportin periodik të pranverës për vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, i cili këtë sezon reflekton edhe situatën me pandeminë globale. Banka Botërore bëhet kështu institucioni i parë i këtyre përmasave që bën një projeksion të impaktit ekonomik të pandemisë. Si rrjedhojë e emergjencës që ka goditur të gjithë globin, projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit flasin për recesion.

Norma, sipas Bankës do të jetë negative, në -1.4%. Ndër sektorët vetëm shërbimet pritet të jenë në kontraktim, ndërkohë që bujqësia dhe industria do të jenë sërish në rritje, paçka se modeste. Efekti duket të jetë vetëm afat-shkurtër, rrjedhojë e pashmangshme e paralizës së ekonomisë, me ta paktën një muaj. Po të shohim projeksionet e vitit të ardhshëm, flasin për një rritje ekonomike në 6.6%, ç’ka sinjalizon një rikuperim të një pjese të humbjeve të vitit aktual.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Rritja ekonomike pritet t’i rikthehet normalitetit vetëm në vitin 2022. Banka Botërore parashikon një rënie të eksporteve shqiptare me 17% gjatë këtij viti. Sa i përket parametrave fiskalë, pritet një zhbalancim i lehtë, me borxhin publik që do të kapërcejë sërish nivelin e 70% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe defiçit fiskal pritet të thellohet gjatë këtij viti. Ashtu si me rritjen ekonomike, edhe parametrat fiskale pritet t`i rikthehen normalitetit gjatë dy viteve të ardhshme.

Edhe indikatorët që masin normën e varfërisë pritet të pësojnë një rritje të lehtë gjatë këtij viti, thotë institucioni me bazë në Washington. Banka sqaron se gjithcka varet nga kohëzgjatja e masave dhe e bllokimit. Në rast se këto masa do të vazhdojnë edhe përgjatë tremujorit të dytë të vitit, atëherë efektet negative pritet të jenë ndjeshëm më të mëdha.

Në tremujorin e fundit ndërkohë, rindërtimi por edhe rimëkëmbja e turizmit mund t`i japin një shtysë të fortë aktivitetit ekonomik të vendit. Ndër të tjera, në raport thuhet se, likuiditeti i madh në sektorin bankar vendas largon frikën e rrezikut për financim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


COVIZ-19 "paralizon" qytetet

CNBC/ Zbrazen marketet në Itali