MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Bari në malet e tua, apo argat në fushat e Greqisë?

26.04.2020 - 13:24

Thonë se, kur ministri i Jashtëm serb, Daçiç, zuri e i këndonte turiqsht, për t’i bërë qejfin Erdoganit, kishte një hall të vogël, veç të tjerash. Puna ishte që ky i fundit, të blinte nja 6 mijë ton mish, që Turqisë, i duhen jo vetëm për konsum të brendshëm, po dhe për atë turizmin që i lulëzon më shumë nga gjërat e tjera.

Ajo që dihet ca më mirë, nga ajo që tregova më lart, është që Serbia, ndryshe nga ne, që importojmë deri në 60 për qind të mishit, për herë parë në historinë mijëravjeçare të ekzistencës, subvencionon 70 dollarë, për një dele dhe 400 dollarë, për një lopë. Shumë duket, apo jo? Apo serbët janë thjesht, gomarë dhe aq?

Ajo që kam përmendur shpesh dhe do ta përmend deri sa të kem mundësi të shkruaj edhe ca më shpesh, ishte një ide e thjeshtë. Nëse qeveria do t’u falte 1,000 familjeve fshatare të Kukësit, nga 200 qengja, në pamje të parë, do t’u kishte falur 5 milionë euro. Të cilat, pas pak vjetësh, mund tua merrte në taksat për çdo produkt që dilte nga delet: në qumështin e djathin e baxhove, në artizanatin e krijuar, në lëkurët e tyre, që bëjnë minumumi nga dy dollarë, po që i çojmë në eksport tani dhe i marrim me çmim dhjetëfish në trajtën e këpucëve etj, etj.

Një llogaritar i thjeshtë, do ta bënte këtë llogari edhe për Luginën e Vjosës, apo në kullotat e pafundme të Shqipërisë. Dhe mbështetur edhe në një arsye më të thjeshtë. Shqipëria që deri në 1939-ën, ka pasur në mënyrë absolute, vendin e parë në Evropë, për numrin e të imtave për 1,000 banorë, pra edhe përmbi Zvicër, Angli e Gjermani, e ka më të lehtë për kushtet e sotme, të zhvillojë blegtorinë se bujqësinë, që lëngon nga ligji 7501 dhe nga mungesa e një reforme agrare reale.

Eh, mirë e ke ti, – më thoshte një nga kritikuesit e Konicës. Po ku ta gjejmë barin? Se fshatari i Kukësit, duhet të shkonte andej nga Myzeqeja, për të dimëruar… Bëhet më, ajo punë skllavi? Besoj se sot, gjërat kanë ndryshuar dhe barin që Nanua, dikur thoshte dhe e blemë edhe jashtë, se në ekonomi tregu jemi, mund të ta bien me makinë e ta magazinosh për dimër, jo në Kukës, po edhe në Vermosh.

Punët, ndoshta janë më të komplikuara sesa thotë edhe kritiku im. E falimentuar disa kohë më parë, Argjentina, iu drejtua këshilltarëve gjermanë. Pasi studiuan gjeografinë e vendit, ata rekomanduan (dhe këtu po i bie thjesht) nja tri gjëra të vogla. Për shkak të gjatësisë së vendit, gjermanët rekomanduan, rritjen e lopëve të sojës dhe të limonëve. Dy nga tre produktet i mori Kina, me kontratë për një kohë të gjatë dhe “Koka–Kola”, po për një periudhë të gjatë.

Në rastin tonë, këto punë, më thjesht dhe më qartë, mund t’i zgjidhte Banka Agrare, apo siç i thonë sot edhe banka e zhvillimit. Një bankë, që Shqipëria, megjithëse vend bujqësor e blegtoral prej mijëra vjetësh, është edhe e vetmja në botë, që nuk e ka. Kjo bankë, që në Shqipëri, Zogu e krijoi që më 1925, pra dhjetë a pesëmbëdhjetë ditë pasi erdhi në pushtet, pas revolucionit të Nolit, u shkri pas 100 vjetësh, sepse falimentoi. Megjithëse asetet e saj, që shtrihen në shumë qendra qytetesh, në dorë të një pronari të ri, bëjnë ende shumë para. Banka, thonë, ishte edhe përpara kohës së Zogut dhe kreditonte fshatarët e zonave, për shembull, të Vlorës, që merrnin e jepnin me bagëtinë me shumicë që kishin.

Natyrisht, për të mos shkuar në duart e shtetit, mund të përdornim bankën, të cilën, mund ta krijonte qeveria, ndoshta dhe me partner të përbashkët. Dhe nëse do të kishte vështirësi, mund ta përdorte këtu, atë garancinë sovrane, më mirë se kudo tjetër. Bagëtia, nuk do shumë e shumë vite, për të dalë në tregun e eksporteve.

Duhet bërë, apo nuk duhet bërë? Mos do të na kthejë në barinj, ky njeri – do të thotë dikush… Besoj se Zvicra, që ishte prapa nesh në numrin e bagëtive dikur, e zhvilloi deri në perfeksion këtë industri, nëpërmjet përpunimit. Dhe ndërmarrjet e saj përpunuese, të përhapura gati kudo nëpër botë, sjellin rrotull nja njëqind miliardë, apo gati dhjetëfishin e prodhimit tonë vjetor kombëtar. Sepse ndryshe nga ne, për shembull, që e hedhim 100 për qind të leshit në gropë, pa asnjë lek, se ndryshe nga që e shesim lëkurën për eksport dhe pastaj e blejmë dhjetëfish më shtrenjtë në çmimin e këpucëve, Zvicra nuk e bën këtë. Ajo e përpunon çdo gjë.

Unë mund ta kuptoj që është e vështirë të përpunojmë kromin, a minerale të tjera, se ka ustallarë më të mëdhenj nga ne në këto fusha, por nuk mund ta kuptoj përpunimin në këtë fushë të thjeshtë, që quhet blegtori. Unë nuk mund ta kuptoj që, për herë parë në historinë e saj, Shqipëria plotëson me mish vetëm 40 për qind të nevojave të saj. Ku vemë, se vërtet nuk ka njeri ta kuptojë këtë?

Pyetja për qeverinë, shtrohet thjesht:

Bari në malet tona, apo argat në fushat e Greqisë?

Këtë pyetje duhet t’ia shtrojnë vetes, ata që i rrinë vërdallë tërë ditën e ditës qeverisë sot, a qeverive që kemi kaluar, duke i propozuar metoda që të ngrenë flokët përpjetë. Është më mirë ta dëgjojnë edhe ca të tjerë, që pas kësaj katrahure që na bëri gazin e botës me histori kanabisi, zënë e nxjerrin lapse në televizone, se sa meleonë fitojmë, nëse rimbjellim kanabisin, kësaj radhe për qëllime mjekësore.

Folur seriozisht. Qeveria duhet t’i rikthehet një teme të thjeshtë, tani që epidemia e Covid-it po mbaron. Bashkë me fatkeqësitë që ajo bie, sjell dhe mirësi po aq të mëdha. Do të na ndihmojë, të heqim qafe të gjitha budallallëqet e pafundme që kemi bërë këto tridhjetë vjet, me pika karburanti, dyqane dhe restorante, kafene e hoteleri nga të tëra anët.

Kam idenë, se duhet t’i thërrasim mendjes. E para gjë, që ndoshta duhet të bëjë kjo qeveri, është t’i rikthehet e të bëjë Bankën Agrare dhe le ta quajë po të dojë, që të mos ta zërë mallkimi i emrit të parë edhe “bankë zhvillimi”. I zgjidh ajo pastaj, hesapet me fshatarët, më thjeshtë sesa mendohet.

Po të dojë e të mos hyjë në histori të gjata, pra ta zërë frika se mos falimenton si më parë, le të kujtojë një fond të vogël zhvillimi dikur, që përqindjet e kthimit të kredive nga fshatarët, i kishte në masën 97 për qind. Të vogla, por të sigurta.

Si gjithnjë, endur në fushën e ideve, nuk më hyn në punë emri i personazheve.

Dhe për t’i evituar sa më shumë ata dhe për të mos rënë në dorën e qeverisë, kjo e fundit, të bëjë vetëm një punë. Të krijojë a mundësojë Bankën Agrare, me paratë e saj, apo me paratë e të tjerëve dhe nëse e bën me paratë e të tjerëve, ta vërë aty, atë garancinë sovrane.

E duke e mbyllur, rikthehem prapë, te tituli i artikullit. 

“Është më mirë bari në malet e tua, se argat në fushat e Greqisë”.