Është krah emrave të futbollit botëror si Nordalh, Puskas, Muller e shumë të tjerë të mjeshtërave të golit. Ilir Përnaska është në mes të renditjes së shënuesve më të mirë të kohës.
Publikimi i një fakti të tillë lidhet me rastin e 100-vjetorit të golashënuesve më të mirë europianë, që “Guerin Sportivo”, revista shekullore sportive italiane, duke iu referuar IFFHS-së, bazuar në statistikat e regjistruara, arkivit e saj, bashkë me shkrimin informues, publikon edhe listën.
Emri i Ilir Përnaskës shihet qartë i vendosur në vendin e 6-të. Renditjen e kryeson suedezi Nordalh me 9 herë golashënues radhazi (në dy kampionate, atë suedez katër herë me Norrkoping dhe 5 herë në atë italian me Milanin).
Me 8 herë vijnë Sotiris Kajafos (Qipro), Ferenc Puskas (4 Hungari, 4 Spanjë). Në kuotën e 7 herë shënues radhazi është hungarezi Imre Schlosser dhe gjiganti Gerd Muller i Bayern Munich. Pastaj Përnaska ynë 6 herë në një grup me legjendën Eusebio, anglezin Jimy Grivs, spanjollin e famshëm Quin. Duke lënë pas, në kuotën e pesë herëve, Crunkle, Di Stefanon dhe ukrainasin Oleg Blohin.
Një realitet ky që të befason edhe sot kur e ndesh, i përcjell në kufijtë përtej Shqipërisë së izoluar në ato vite, por jo i harruar nga bota futbollistike, i përfshirë në “Librin e Artë” të goleadorëve kontinentalë të historisë 100-vjeçare të tyre.
Një rast unik edhe për historinë e shënuesve të kampionateve kombëtare, ku Ilir Përnaska, është goleador i gjashtëfishtë radhazi, absolut e pa rivalë, i papërsëritshëm! Gola, shifra tronditëse realizuar në shekullin e kaluar, por që i rezistojnë viteve, dekadave edhe në atë që po jetojmë.
Shpërthimi i ciklit “përnaskian”, që regjistron një rekord original shqiptar të “Këpucës së Artë”, e ka startin në sezonin 1970/71 (19 gola), 1971/72 (17gola), 1972/73 (12 gola), 1973/74 (19 gola), 1974/75 (17 gola) dhe 1975/76 (18 gola).
Titullar, kapiten i Dinamos, lojtar i kombëtares, karriera e tij nisi më 1967 kur ishte vetëm 16-vjeç dhe u mbyll në vitin 1981. Goleador edhe me fanellëm kuqezi, ku mbetet e paharruar dopieta në fitoren 3-0 me Turqinë në “Qemal Stafa” dhe goli i shënuar në Sofie ndaj Bullgarisë.