Në shtator mbush 34 vjeç dhe dalëngadalë karrierës së tij po i vjen fundit. Ledian Memushaj, në një intervistë për “Super Sport”, ka treguar rreth situatës atje dhe çështjeve të tjera që prekin mesfushorin e Kombëtares sonë.
SITUATA NË ITALI – “Po bëjmë gati një muaj që jemi mbyllur në shtëpi dhe është gjë e vështirë. Nuk rrihet në shtëpi. Sa hap televizorin dhe sheh lajmet dëgjon vetëm për njerëz dhe të vdekur dhe të infektuar, prandaj bëhen akoma më të vështira këto ditë.
Çdo ditë këtu ngjan sikur do të jetë pak më mirë, por është akoma më keq gjendja. Tani sikur po përmirësohet pak, sepse po ulet numri njerëzve që shkojnë në spitale. Por besoj se do zgjasë akoma si situatë, besoj se akoma një muaj do zgjasë.
FAMILJA – “Ne jemi të gjithë mirë. Kam vëllain, i cili ka 10 ditë me simptoma, por nuk ka bërë tamponin dhe ata nuk ta bëjnë po nuk pate disa efekte të tjera.”
RIFILLIMI i FUTBOLLI – “Besoj se tek ekipi ynë ka kaluar ajo frika sepse kemi pasur një situatë të jashtëzakonshme. Tani është e vështirë flasësh, por duhet folur, sepse edhe ajo është një gjë që duhet të merret në konsideratë, sepse futbolli në Itali është industria e dytë në gjithë vendin. Besoj se për dy muaj do kërkojnë me çdo kusht ta përfundojnë kampionatin.”
MJEKËT SHQIPTARË NË ITALI – “U ndjeva shumë krenar. Më pëlqyen shumë edhe fjalët e Ramës. Janë gjëra të vërteta sepse me të vërtetë na kanë ndihmuar më para dhe na kanë ndihmuar edhe tani me tërmetin. Kam marrë mesazhe nga shokë futbolli, por edhe jashtë tij. Më kanë dërguar mesazhe për të më falenderuar.
FUNDI I KARRIERËS? – “Do të kisha dëshirë ta mbyllja karrierën në Vlorë. E vetmja gjë është, nëse më lë akoma trupi, se kur arrin në një moshë të caktuar, fillojnë edhe problemet.”