MENU
klinika

Me apo pa intervenim

Koronavirusi zhduket vetvetiu brenda 70 ditësh

25.04.2020 - 08:47

Përgjatë globit, debatet janë duke u zhvilluar rreth mënyrës më të mirë për të luftuar përhapjen e koronavirusit, me ç’rast vendet po zbatojnë qasje rrënjësisht të ndryshme në betejën kundër sëmundjes.

Por së fundi, një profesor izraelit ka pretenduar se të gjitha përpjekjet shpijnë drejt të njëjtit rezultat, ngase sëmundja e ka një afat të vetin të veprimit dhe kryesisht zhduket pas 70 ditësh – me apo pa asnjë intervenim, raporton Telegraph.

Profesori Isaac Ben-Israel, shef i programit të Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Tel-Avivit dhe kryesues i Këshillit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim, ka bërë të ditur se analizat e tij kanë dëshmuar se virusi që e shkakton sëmundjen COVID-19 e arrin pikun në 40 ditë, para se ta nisë procesin e zhdukjes së shpejtë.

Gjenerali-majori Ben-Israel, i cili ishte po ashtu drejtues i Divizionit për Analiza dhe Vlerësime i Drejtorisë së Inteligjencës së Forcave Ajrore izraelite dhe ish-këshilltari për Kibernetikë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendon se mbyllja e ekonomive të mëdha po krijon pasoja shkatërruese për pak përfitime.

Kalkulimet e tij kanë treguar se modeli i infeksioneve të reja ditore, si përqindje e numrit të akumuluar të infeksioneve, fillon me rreth 30 për qind, por bie në 10 për qind pas

gjashtë javësh, dhe përfundimisht e arrin nivelin prej më pak se 5 për qind, një javë më vonë. “Analizat tona kanë treguar se ky është një model konstant në të gjitha vendet”, ka shkruar profesori Ben-Israel, në një artikull të publikuar gjatë kësaj jave. Por studimi i tij nuk ka kaluar nëpër procesin e rishikimit. “Befasisht, ky model është i zakonshëm për vendet që kanë ndërmarrë masa të ashpra të izolimit, si dhe për shtetet që kanë zbatuar politika shumë më të buta dhe e kanë vazhduar jetën si zakonisht”.

Kalkulimi i të dhënave

Vlerësimi nëse kalkulimet e profesorit janë të sakta, apo domethënëse, është problematik, ngase nuk ekziston ndonjë vend që mund të tregojë matje të kundërta. Edhe Suedia, e cila ka zbatuar më së paku kufizime, megjithatë ka zbatuar disa lehtësime të masave.