Pas situatës së krijuar me pandemia, që ka ndalur gjithë botën, gjatë muajit prill Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” do të fillojë me transmetimin e shfaqjeve në mënyrë virtuale. Shfaqjet do të transmetohen LIVE përmes platformës “Facebook”, sipas medieve lokale.
“Për vite me radhë, pa hezitim e pa kushte, ju keni ardhur në shtëpinë tonë të shenjtë, Teatrin. Së bashku kemi shijuar shfaqje madhështore, kemi qeshur me komeditë e kemi qarë me tragjeditë. Tani është radha jonë, të vijmë në shtëpitë tuaja”.
“Teatri nuk është ndalur kurrë, nuk ndalet sot e as nuk do të ndalet në të ardhmen, prandaj kjo është më e pakta që mund të bëjmë, për ju që keni qenë bashkudhëtarë të rrugëtimit tonë. Si i gjallë që është teatri, do të na mungojnë duartrokitjet tuaja, por të jeni të sigurt, se do t’i ndjejmë ato”, – thuhet në komunikatën për mediet.
Shfaqjet që do të transmetohen LIVE, gjatë këtij muaji, janë: “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Armiku i Popullit” dhe “Mbledhje në Parlament”.
Për datën dhe orarin e transmetimeve do të njoftoheni me kohë.