Dy viktima të reja nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, njëri nga Kumanova dhe tjetri nga Llabunishta. Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar 72 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e pacientëve në 555, ndërsa dy persona kanë ndërruar jetë.
Në 24 orët e kaluara shumica e rasteve janë regjistruar në Kumanovë, 21 persona, më pas vjen Shkupi me 14, Tetova 12, Prilep 9, Koçani 7, nga dy raste të reja ka në Manastir dhe Krushevë, ndërsa nga një rast të regjistruar ka në Gostivar, Strugë, Veles, Radovish dhe Shtip.
Më së shumti të infektuar ka në Shkup, 235, pasuar nga Kumanova me 114, Dibra me 48, Prilepi 33, Tetova 29, Struga 24, Shtipi 19, Koçani 14, Velesi 10, Manastiri 6, Gostivari dhe Gjevgjelia 4, nga tre në Ohër dhe Radovish dhe gjithsej dy raste janë regjistruar në Kavdar, Strumicë, Kriva Palankë dhe Krushevë. Aktualisht, 74 pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
15 prej tyre kanë pasqyrë të rëndë klinike, 11 janë në ventilim mekanik, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Tre pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar në shtëpi. Pacientë me Covid 19 ka edhe në spitalin e qytetit “8 Shtator”, ku janë hospitalizuar gjashtë persona. Gjithsej tre persona janë në respirator ndërsa dy prej tyre janë testuar dhe priten rezultatet nëse janë bartës të virusit. Tre të tjerët kanë pasqyrë më të lehtë klinike, njofton drejtori i spitalit.
Mjeku Zharko Karaxhovski i cili është edhe kryetar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, situatën e rënduar me korona virus e pret në dy- tre javët e ardhshëm. Karaxhovski apelon që njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, që të evitohet numri i të prekurve të ri.