MENU
klinika

Detajet nga 'takimi' online

Miratohen projektligjet për huat me bankat dhe finacimin e bashkëpunimit ndërkufitar

09.04.2020 - 16:30

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar ditën e sotme dy projektligje’

Nën drejtimin e kryetares, Milva Ekonomi, u miratuan projektligjet: “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2018”.

Deputetja Senida Mesi, si relatore e projektligjit të parë, theksoi se vitet e fundit Shqipëria ka bërë përparime në fushën e barazisë gjinore, e që prej vitit 2016 janë bërë përpjekje të vazhdueshme për nxitjen dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të biznesit, të drejtuara nga gratë, sidomos në drejtim të rritjes së numrit, kapaciteteve drejtuese dhe aksesit në financë të këtyre sipërmarrjeve.

Në shifrat e relatuara, znj. Mesi, duke e vënë theksin te rritja e këtyre numrave, sqaroi se në fushën e barazisë gjinore ka 28 programe buxhetore në PBA 2018-2020, 33 programe buxhetore në PBA 2019-2021 dhe 36 programe në 2020-2022.

Rritja e aksesit të grave në pasuri, vendosja e rregullave të barabarta të lojës për rritjen e mundësive për grate në tregun e punës dhe forcimi i rregullave institucionale për një politikbërje më pranë barazisë gjinore u listuan si synimet e projektligjit në fjalë.

Në projektligjin e dytë relatoi deputeti Rolant Xhelilaj. Sipas tij, marrëveshja synonte sigurimin e mbështetjes financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II), për realizimin e Programit të Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë për alokimet e vitit 2018.

Ai sqaroi se prioritetet e programit shtriheshin në këto fusha: mbrojtja e mjedisit, promovimi i politikave të zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimit dhe menaxhimit të rreziqeve; inkurajimi i turizmit dhe i trashëgimisë kulturore e natyrore dhe investimi në rini, arsim dhe aftësi.