Një kronikë e një gazetareje nga Kosova në një televizion të Shqipërisë duket se i ka lënë përshtypje jo shumë të mira kantautorit Alban Skënderaj. Kjo, për shkak të gjuhës që gazetarja ka përdorur, duke thënë “kartë identiteti”, që është fjalë e huazuar, dhe jo “letërnjoftim” fjalë shqipe e përdorur gjerësisht në Kosovë.
Një gjë e tillë duket se e ka irrituar disi artistin i cili, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka ndarë mendimin e tij lidhur me përdorimin masiv të fjalëve të huaja në vendet shqipfolëse.
“Po e shkruaj këtë herë se po e lashë do harroj si gjithmonë. Sapo pashë në televizor që edhe një gazetare e Kosovës (e ndikuar sepse po i fliste publikut të Shqipërisë) përdori fjalën “kartë identiteti” dhe jo “letërnjoftim” që është e njëjta fjalë, por në shqip dhe në Kosovë, ndryshe nga këtu, përdoret rregullisht. Ju lutem në Kosovë e jo vetëm, mos u ndikoni nga Shqipëria që vuan nga kompleksi i inferioritetit me këto huazime të kota. Jemi neve që duhet të marrim shembull nga juve për mënyrën se si i shqipëroni fjalët me aq logjikë, thjeshtësi e përgjegjësi.”- shprehet Skënderaj.
“E njëjta gjë më ka ndodhur vitet e fundit me fjalë si “autostradë” etj. Është një temë e gjatë dhe shembujt janë pafund dhe banalë. Kam jetuar shumë vite jashtë dhe nuk kam bagazhin e një gjuhëtari, edhe unë gaboj, por kam vullnetin e mirë aq më tepër në raste kaq të dukshme! Nuk jam i paarsyeshëm të diskutoj për fjalë të huaja që kanë vite e shekuj që kanë hyrë tek ne për shkaqe historike kur pjesa dërrmuese e popullsisë ishte analfabete, por është papërgjegjshmëri fëminore të fusim fjalë të huaja pa kriter aq më tepër në media të shkruar, televizione madje dhe institucione në vitin 2020!”-ka shkruar artisti në Insta Story.