MENU
klinika

Intervista e Marash Kumbullës

“Një ditë dua të bëhem kapiten i Shqipërisë”

24.04.2020 - 20:31

Ka shpërthyer që në sezonin e parë në Serie A dhe Marash Kumbulla është bërë protagonisti i merkatos këtë vit dhe thuajse çdo ditë mediat kryesore sportive në të gjithë Europën shkruajnë për të ardhmen e djaloshit shqiptar që lakmohet nga shumë klube në kontinent.

Ndaj seanca e pyetje-përgjigjeve që klubi i Veronës organizoi në Instagram me futbollistin ka qenë ndër më të ndjekurat nga tifozët, duke shuar shumë kuriozitete rreth tij dhe të ardhmes.

Një gol në Serie A…

Falënderoj Veloson për asistin, i njohim cilësitë e tij. Më ka dhënë asiste të mira edhe në raste të tjera, por nuk kam arritur të shënoj fatkeqësisht.

Çfarë shpjegimi i jep vetes për sezonin e jashtëzakonshëm që po zhvillon?

Po stërvitem shumë, duke u munduar t’i tregoj trajnerit cilësitë e mia. Ai ka besuar shumë te unë, falë tij kam pasur mundësinë që të debutoj në Serinë A. Jam munduar ta shfrytëzoj në maksimum dhe falë edhe shokëve të mi të skuadrës ia kam dalë që të kurorëzoj ëndrrën time.

Kur e kuptove se ky do të ishte një sezon i rëndësishëm?

E kuptova në ndeshjen e parë në Serie A. Në sezone të tjera kisha zhvilluar fazën përgatitore, edhe miqësore, ndeshje në Kupën e Italisë, por nuk kisha luajtur kurrë në Serie A. Kur debutova e kuptova që mund të gjeja hapësirën time, nuk ka titullarë, trajneri hedh në fushë gjithmonë atë që është më mirë.

Kush të ka ndihmuar të besosh në vetvete?

D’Amico ka besuar gjithmonë të unë, që vitin e kaluar. Kur nuk kisha mundësi të luaja për shkak të problemeve fizike. Më ka treguar shpeshherë se beson tek unë, këtë vit kam pasur shumë fat që takova Juriç. Pastaj sigurisht menaxheri dhe familja ime.

Këtë vit je rritur nga pikëpamja atletike…

Trajneri më ka ndihmuar shumë, në grumbullim kemi punuar shumë, për mua ka qenë më i lodhshmi, por janë parë frytet. Në ndeshje dukej thuajse se skuadra nuk e njeh lodhjen, jam rritur fizikisht dhe mendërisht.

kumbulla marash

Sa krenar je për grupin që u krijua këtë vit?

Rezultatet janë të lidhura edhe me grupin, i cili këtë vit është shumë i bashkuar. Ka shumë të rinj, ashtu si edhe të rinj pak më të vjetër, që mundësojnë që të bashkohet grupi. Tallemi shumë, ndihmojmë njëri-tjetrin, është me të vërtetë një grup i bukur dhe kjo na ka ndihmuar.

Grupi ka lindur si pasojë e pjesëmarrjes në play-off?

Pranë fundit të vitit të kaluar u krijua një grup i bukur, të sapombërriturit kanë dhënë atë gjënë e vogël më shumë që duhej për të arritur rezultatet e mira.

A ke qenë ndonjëherë djali që mbledh topat në stadiumin “Bentegodi”?

Të paktën dhjetë herë. Ka qenë gjithmonë emocionuese, në një ndeshje në të cilën Toni i shënoi dy gola Genoas, unë u emocionova shumë”.

Sa mesazhe ke marrë pas golit ndaj Sampdorias?

Shumë, nuk e prisja, edhe për faktin se isha në fillimet e mia. Më kanë mbërritur nga të gjithë njerëzit që njoh, miq, edhe nga persona që kisha takuar vetëm një herë. Më dha shumë kënaqësi.

A ishte ajo dita më e bukur e jetës tënde futbollistike?

Mund të duket e çuditshme por jo, ia kaloi fitorja ndaj Juventusit. Edhe pse goli i parë nuk harrohet kurrë, unë e vendos në vendin e dytë.

Çfarë kujton nga mbrëmja ndaj Juventusit?

Nuk arrita të flija gjumë, ishte ditëlindja ime, e festova në mënyrën më të mirë të mundshme, me një paraqitje të mire ndaj skuadrës më të fortë në Itali. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte për mua. E kam riparë ndeshjen gjatë gjithë natës, duke rilexuar komentet, falënderimet e tifozëve.

Po mesazhet mbi futbollin online?

Marr shumë të tillë, më kënaqin, pasi të shtyjnë të bësh më shumë, por janë me të vërtetë të shumtë. Shumë prej atyre që më kanë blerë në fillim me çmim të ulët janë shumë të lumtur.

Pavarësisht gjithçkaje, mbetesh një djalë absolutisht normal…

Nuk ka sekrete, çdokush ka personalitetin e tij. Prindërit më kanë mësuar këto vlera dhe të jem serioz dhe i respektueshëm. Unë jam i tillë, mendoj se jam punëtor i madh.

Kush të ka dhënë më shumë këshilla në këto muaj?

Më kanë ndihmuar pak të gjithë, edhe sulmuesit e mesfushorët. Kam një raport më të ngushtë me Rrahmanin, pasi flasim të njëjtën gjuhë, por ndjehem mirë me të gjithë mbrojtësit.

Na trego pak këtë lidhje gjuhësore me Rrahmanin…

Kam filluar të flas me të menjehërë pasi ai mbërriti. Ai njeh edhe gjuhën kroate, ndaj ka arritur që të komunikojë edhe me trajnerin menjëherë. Ai është një djalosh simpatik, takohemi edhe jashtë fushës së lojë. Ai është i shkathët, ka kuptuar menjëherë se duhet të mësojë italishten dhe e ka mësuar në pak muaj.

Kush janë tre mbrojtësit më të mirë në botë?

Van Dijk, Chiellini, edhe pse ndoshta tani jo, por flas në vlerë absolute, si dhe Sergio Ramos.

Babai të ka ndjekur edhe kur ke luajtur në Kombëtare?

Po, ka ardhur në Shqipëri dhe Moldavi. Më ndjek kudo, çfarëdo ndeshje të luaj. E falënderoj shumë që më ka dhënë mundësinë që të luaj futboll.

Po ai, a luante futboll i ri?

Jo, nuk ka luajtur kurrë, por ka qenë gjithmonë një tifoz. Më ka transmetuar këtë pasion dhe për fat të mirë kam vazhduar në këtë rrugë.

Do të të pëlqente të bëheshe kapiteni i Shqipërisë?

Është një ëndërr që do të doja ta bëja realitet herët a vonë.

Çfarë ndjen kur luan për skuadrën e qytetit tënd?

Emocione të mëdha. Në fillim nuk e kuptoja se po luaja në Serie A, kur e kuptova ka ndryshuar gjithçka. Tani duhet vetëm të mendoj si të përmirësohem gjithnjë e më shumë.

Përse ke zgjedhur kombëtaren shqiptare?

Ndjehem thuajse 50-50. Familja ime është shqiptare, por kam lindur në Pesciera del Garda. Kjo është një zgjedhje e bërë me zemër, ndjehem lehtësisht pak më shumë shqiptar brenda meje.

Më mirë mbrojtja me tre apo me katër?

Mendoj me tre.

Sulmuesi më i fortë që ke takuar deri tani?

Dybala ishte më i vështiri për t’u mbuluar. Ka një teknikë të jashtëzakonshme, pastaj është me të vërtetë i shpejtë, nëse është në ditë të mirë është thuajse i pakapshëm.

Messi apo Ronaldo?

Gjithmonë Messi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Edy Reja: Kumbullën ia sugjerova Napolit

“Italia nuk e grumbulloi, e mora te Shqipëria”


Merr për herë të katërt radhazi titullin kampion

Manchester City shkruan historinë

Ka shënuar 23% të golave pas minutës së ‘90

Granit Xhaka: Jemi të pabesueshëm!

I heq nga duart sfidën Gjermani-Skoci

Tërboi Bayern në Madrid, UEFA nuk fal Marciniak