Kryeminstri Edi Rama ka njoftuar se do të ndalohen pagesat e qerave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të Covid-19.
Përmes një statusi në “Facebook”, ai shprehet se deri në përfundim të kësaj situate, qeradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve, në të kundërt do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse.
Sakaq, Rama bën thirrje që për çdo rast presioni nga qeradhënësit, subjektet qeramarrës të dy kategorive të mësipërme, të denoncojnë në faqen online të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve.
Statusi i plotë:
Me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qerave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës!
Kush ka humbur punën në të zezë dhe ka këtë hall, mund të përfitojë nga kjo masë vetëm duke denoncuar punëdhënësin!
Deri në zmbrapsjen e armikut, qeradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse!
Për çdo rast presioni nga qeradhënësit, subjektet qeramarrës të dy kategorive të mësipërme, të drejtohen në faqen online të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve!
*Kjo luftë kërkon medoemos që kushdo ka një mundësi më shumë, të solidarizohet me fakte jo me fjalë, për këdo që s’ka asnjë mundësi të mbijetojë pa solidaritet.