MENU
klinika

"Nis punë" Gjykata e Lartë

Pas emërimit të tre anëtarëve formohen tri trupa gjykuese

10.04.2020 - 13:34

Gjykata e Lartë ka njoftuar formimin e tri trupave gjykuese që do të nisin me shqyrtimin e çështjeve në dhomë këshillimi për herë të parë që pas majit të vitit 2019 kur ky institucion doli jashtë funksionit. Pas emërimit të tre anëtarëve të rinj të kësaj gjykate, mbledhja e gjyqtarëve ka vendosur edhe përcaktimin e kritereve të shqyrtimit të çështjes sipas kohës së paraqitjes, për shkak se deri tani janë depozituar mbi 35 mijë çështje të grumbulluara ndër vite.

Gjykata e Lartë ka nisur punën për shqyrtimin e dosjeve të para pas dy vitesh thuajse jashtë funksionit. Sipas të dhënave në Gjykatën e Lartë janë paraqitur për shqyrtim mbi 35000 çështje të grumbulluara ndër vite.

Në një njoftim zyrtar gjykata bën me dije se ndikim të ndjeshëm në rritjen e numrit të çështjeve në pritje për t’u shqyrtuar ka pasur pakësimi gradual i numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë në detyrë gjatë 3 viteve të fundit, si edhe fakti që nga muaji Maj 2019, kjo gjykatë nuk ka qenë funksionale dhe nuk ka mundur të shqyrtojë dhe gjykojë më çështje gjyqësore.

Pavarësisht kësaj situatë, gjatë kësaj kohe stafi i mbetur ka punuar për trajtimin dhe përgatitjen me një numër të madh çështjesh, dhe si rrjedhojë është përgatitur trajtimi i 3500 dosjeve gjyqësore.

Në mesin e muajit mars, pas emërimit të tre gjyqtarëve të rinj, janë krijuar kushtet ligjore minimale që Gjykata e Lartë të fillojë të ushtrojë një pjesë të të funksioneve të saj.

Pas fillimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve të rinj, kjo trupë ka përcaktuar një metodologji të punës, nëpërmjet përdorimit të mjeteve dhe mënyrave më efektive që garantojnë shqyrtimin dhe gjykimin në kohën më të shpejtë, të arsyeshme dhe me cilësi të një numri të madh të çështjeve gjyqësore.

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve e zhvilluar në datën 8 Prill 2020 vendosi që të vijohet menjëherë me shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit, nisur nga kriteri i kohës së paraqitjes së tyre për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, krahas çështjeve të tjera që për nga natyra e tyre dhe sipas ligjit duhet të shqyrtohen në mënyrë të shpejtë, sikurse janë mosmarrëveshjet për juridiksionin, kompetencën, kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve etj.

Gjithashtu, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, paraqiti mendimin për formimin e tri kolegjeve dhe të trupave gjykuese të Gjykatës së Lartë të cilat do të publikojnë në mënyrë të vazhdueshme në faqen zyrtare ditën e gjykimit dhe përbërjen e trupës gjykuese për shqyrtimin e të gjitha llojeve të çështjeve gjyqësore.

Edhe pse sipas akteve normative të miratuara për shkak të situatës nga Covid 19 veprimtaria gjyqësore është e pezulluar, Gjykata e Lartë ka marrë masat që të fillojë menjëherë veprimtarinë e saj gjykuese në dhomat e këshillimit ndërsa po vlerësohen mjetet dhe mënyrat për të mundësuar në kohën më të afërt edhe gjykimet e çështjeve në seancë gjyqësore.