MENU
klinika

BE dhe kriza greke...

Për kë bien këmbanat?

03.04.2020 - 16:44

Nga Alexis Tsipras, ish-kryeminsitri i Greqisë

Kur në 2015 një vend i vogël i BE-së si Greqia, vuajti nga irracionalizmi i masave ndëshkuese, pas dy programeve të dështuara të FMN dhe pasi një pjesë e madhe e popullit grek ishte në prag të një krize humanitare, evropianët menduan se, megjithëse grekët po “bënin shumë”, Greqia do të mbetej një përjashtim. Programet do të shërbenin si shembuj për vendet e tjera, që të mos ndiqnin edhe ata këtë “rrëshqitje të ngadaltë” në deficit.

Nuk bënte asnjë ndryshim që qeveria e sapozgjedhur e majtë nuk kishte lidhje me forcat që krijuan këto deficite. Nuk bënte asnjë ndryshim as që qeveria e re nuk kishte ndërmend të mbështeste, ashtu si qeveritë e mëparshme, grekët e pasur që kishin depozituar paratë e tyre në banka në Zvicër dhe shmangnin sistematikisht taksimin. Pjesa më e madhe e opinionit publik në veri dominohej nga paragjykimet për grekët që gjoja ishin “dembelë”, dhe “shpenzonin para” për të jetuar “dolce vita”, përtej mundësive të tyre, duke përdorur paratë e Evropianëve të Veriut që kishin “bërë detyrat e shtëpisë”.

Qeveria Siriza u përpoq të zhdukte këto stereotipe dhe të sugjeronte alternativa të masave shtrënguese, që të nxitej solidaritetiti evropian dhe dialogu. Sidoqoftë, qeveritë konservatore e panë si një kërcënim për rregullat që duhej të ndiqeshin “pa marrë parasysh asgjë”, dhe pse shumë qeveri progresive e shikonin qeverinë e re greke me dyshim: “Kush janë këta njerëz që luftojnë për një qëllim që ne as nuk po përpiqemi të luftojmë? ” Më vonë, natyrisht, ata i shikonin me ‘adhurim’ përpjekjet e “Davidit” kundër “Goliatit”. Mbi të gjitha, siç më tha Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian pas fjalimit tim të parë në Strasburg “zemrat tona janë me ju, por logjika jonë nuk është”. Dhe çfarë ishte kaq e paarsyeshme? Ideja e ndryshimit të rregullave kur ato nuk funksionojnë.

Në realitet, të gjithë e kuptojnë se ajo që është e paarsyeshme nuk është të ndryshosh ilaç kur, në vend të shërimit, çon në përkeqësimin e pacientit, por të pretendosh se nuk mund të shohësh diçka që është e dukshme. Nga ana tjetër, askush nuk mendoi se ishte “logjike” që një vend i vogël të ndryshonte rregullat. Edhe sikur të ishte absolutisht gjëja e duhur. Shumë mendonin se i gjithë ky diskutim “i paarsyeshëm” nuk do të prekte kurrë vendet e tyre. Ata besonin se Greqia do të ishte thjesht një përjashtim.

Në një nga takimet e para të Këshillit Evropian ku unë isha pjesë, u përpoqa ta bindja kolegët, duke i kujtuar romanin e jashtëzakonshëm “Për kë bien këmbanat” nga Ernest Heminguej. Mesazhi im ishte që nëse kjo është mënyra se si do të trajtohet kriza në Greqi, do të vijë koha edhe kur vendet e tyre të përballen gjithashtu me këtë “logjikë”. Më vonë, pasi negociatat morën një kthesë dramatike, unë e informova opinionin publik evropian për qëndrimin e institucioneve, përmes faqeve të Le Monde, me një artikull që kishte titullin e librit të famshëm të Heminguejt. Kështu, unë arrita në përfundimin se çështja me të cilën përballemi nuk ishte vetëm e Greqisë, por ishte përplasje midis dy strategjive të ndryshme për të ardhmen e Evropës. Njëra ishte e përqendruar tek integrimi politik në kuadrin e barazisë dhe solidaritetit. Tjetra çonte në përçarje.

Nuk e di sa mund të konsiderohet ai artikull si parashikim, duke parë zhvillimet e tanishme. Dhe gjithashtu nuk e di deri në çfarë mase isha në gjendje t’i bindja kolegët. Megjithëse qeveritë franceze dhe italiane e mbështetën Greqinë, unë nuk besoj se e bënë sepse mendonin se ekzistonte një rrezik i vërtetë e se këmbanat do të binin një ditë për ta. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve franceze, dialogu për të ardhmen e Evropës rezultoi jetëshkurtër.

Derisa erdhi momenti, që na kujtoi periudhën, për të cilën flitet në romanin e Heminguejt. Jo, sot nuk kemi një luftë. Ekonomitë tona po ‘goditen’. Dhe prioritet është shpëtimi i jetëve të njerëzve. Sepse jeta nuk kthehet. Borxhet mund të shlyhen. Siç ndodhi pas një lufte të vërtetë në 1953. Por jetët nuk kthehen.

Në këto kushte dramatike të urgjencës që po kalojmë, ne kuptojmë se një pjesë e udhëheqësve evropianë kanë arritur në përfundime të gabuara në lidhje me krizat e mëparshme. Lidershipi europian po këmbëngul për recetat e gabuara. Në vend që të kenë synim solidaritetin dhe bashkëpunimin, mbetet me të njëjtën logjikë: “Ne nuk do të paguajmë për borxhet e Jugut”. Me fjalë të tjera, “secili më vete” dhe kushdo që ka nevojë për një kredi do të duhet paguajë çmimin. Ashtu si ka bërë Greqia. Por në fund të fundit, rregullat janë rregulla.

Kam frikë se kjo shfaqje ekstreme e amoralitetit nga udhëheqësit evropianë, siç është Mark Rutte, që kërkon mjete të reja ekonomike, mund të jetë vdekjeprurëse për unitetin e vetë BE-së. Sepse uniteti nuk varet vetëm nga ekonomia por edhe nga vlerat e përbashkëta: për qytetarët, ideja e Evropës është që mjekët hungarezë shkojnë në Itali për të ndihmuar pacientët italianë, mjekët holandezë shkojnë në Greqi për të ndihmuar pacientët grekë, jo që duhet të kërkojmë mjekë vullnetarë nga Kuba dhe Kina për të kuruar pacientët italianë… Kur burokrati i madh, Regling u thotë italianëve, spanjollëve dhe, së shpejti edhe francezëve, se sigurisht mund të marrin borxh nëse pranojnë kushtet dhe një program ekonomik, atëherë është e qartë se diçka nuk shkon mirë në marrëdhëniet midis shteteve anëtare. Sepse jeta nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por edhe me dinjitetin.

Unë e di shumë mirë, pas 4 vjetësh e gjysmë pjesëmarrje në Këshillin Evropian, se Evropa lëviz ngadalë – me përplasje të vogla dhe kompromise të mëdha. Shpresoj që një kompromis i tillë mund të arrihet brenda ditëve në vijim. Dhe përgjegjësia më e madhe i mbetet Angela Merkelit, e cila duhet të zgjedhë midis imazhit së saj si një udhëheqëse evropiane dhe opinionit publik kombëtar që ka qenë për shumë vjet i infektuar nga virusi i shovinizmit.

Nëse problemi është simbolika e vetë Eurobondit, është gjithmonë e mundur të gjendet një zgjidhje. Gjithmonë ekzistojnë alternativa teknike me të njëjtin rezultat por me një emër tjetër. Për shembull, mund të ketë marrëveshje për një ESM. ESM merr borxhe të mëdha por shuma e nevojshme e fondeve, për shembull, përputhet me ekuivalentin e shumës së rënë dakord nga republikanët dhe demokratët, për të mbrojtur ekonominë e SHBA-së.

Mund të gjenden zgjidhje, por “vështirësia nuk është në zhvillimin e ideve të reja, por në lënien pas të ideve të vjetra”, siç tha Kejnsi në periudhën midis luftërave, por unë nuk e di nëse ekziston vullneti politik për të lënë pas idetë e vjetra.

Vendet që bashkë-nënshkruan letrën e përbashkët për Presidentin e Këshillit Evropian, që kërkon një Eurobond, për të qenë gati të negociojë, me qëllim të imponimit të një zgjidhjeje evropiane, tregoi se morrmarrëveshjet duken qartazi.

Dhe nëse, në fund të fundit, Angela Merkel preferon komentet pozitive të shtypit gjerman më shumë se një iniciativë në favor të unitetit të Eurozonës, këto vende nuk duhet hezitojnë të ndërmarrin hapa të mëtejshëm së bashku.

Një Eurobond pa Gjermaninë dhe Hollandën nuk do të jetë i fortë, natyrisht, por të mos harrojmë se të gjitha vendet e tjera së bashku përfaqësojnë mbi dy të tretat e PBB-së së Eurozonës. Për sa kohë që ata kanë vullnetin për të ecur përpara. Mbi të gjitha, kjo mund të jetë mënyra e vetme që mund të ketë Evropa për të ecur përpara.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfundon paketa e ndihmës

5 mësime nga kriza greke

Marrëdhëniet e Kinës me Greqinë e Italinë

BE po korr atë që ka mbjellë!