Ka shkuar në 518 numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë. Gjatë përditësimit të sotëm nga ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se përgjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar 24 raste të reja.
Ndërkohë është rritur numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, duke shkuar në 26.
Ministria e Shëndetësisë njofton se ka humbur jetën një 64-vjeçare nga Tirana, e cila ka qenë në gjendje të rëndë te “Shefqet Ndroqi”.
“Mëngjësin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, thuhet në njofimin e MSH.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. “Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.” – apelon Ministria e Shëndetësisë.