MENU
klinika

"Masat dhe kufizimet të panevojshme"

Profesori i Oksfordit: Piku ishte para izolimit, bravo Suedisë!

20.04.2020 - 13:58

Piku i koronavirusit në Britaninë e Madhe ishte përpara izolimit. Kështu tha për Daily Mail një ekspert i njohur, që argumenton se masat e kufizimeve ishin të panevojshme. Carl Heneghan, profesor i mjekësisë së bazuar te provat në Universitetin e Oksfordit, pretendon se të dhënat tregojnë se niveli i infektimeve u përgjysmua pasi qeveria nisi të nxiste njerëzit që të lanin duart dhe rekomandoi mbajtjen e distancës deri në dy metra.

Ai tha se më pas qeveria e humbi fillin dhe nxitoi të fuste vendin në karantinë gjashtë ditë pas këshillimit nga shkencëtarë që kanë rezultuar gabim në mënyrë të vazhdueshme gjatë krizës. Profesor Heneghan lavdëroi Suedinë- e cila nuk zbatoi karantinën pavarësisht kritikave të ashpra. Në Suedi janë regjistruar 140 raste për 100 mijë banorë, kurse në Britani janë 182 raste për 100.000 banorë. Suedia ka 15 vdekje për 100 mijë banorë, kurse Britania ka 24 vdekje për 100 mijë banorë.

Por Suedia ka mbrojtur ekonominë, teksa më pak se 6 përqind kanë aplikuar për përfitimet e papunësisë. Në Britani kanë aplikuar një e katërta.

“Piku i vdekjeve në Britani ka ndodhur më 8 prill. Nëse e kupton se si funksionon, duhet të kthehesh mbrapa për të parë kur ishte piku i infeksioneve. Kjo do të thotë se ishte 21 ditë përpara kësaj dite, pikërisht pak para izolimit total”.

Profesor Heneghan thotë se me 21 ditë i referohet kohës që i duhet një personi të infektuar që të sëmurët rëndë dhe të humbasë jetën- tre javë mesatarisht. Ai thotë se qeveria ka pranuar se piku i vdekjeve ishte më 8 prill, çka do të thotë se kulmi i infeksioneve ishte 21 ditë më parë.

“Reduktimi me 50 përqind i rasteve ndodhi më 16 mars, pikërisht kur u prezantuan masat e larjes së duarve dhe distancimit social”.

“Nëse e sheh atë që po ndodh në Suedi, ata ruajtën nervat dhe shmangën një skenar apokaliptik”.