MENU
klinika

"Shifrat nuk varen nga masat e qeverive për COVID-19"

Profesori i shquar izraelit: Piku arrihet 40 ditë pas rastit të parë

15.04.2020 - 13:44

Një matematikan, analist i shquar dhe ish-gjeneral izraelit, pohon se analiza e thjeshtë statistikore tregon se piku i COVID-19 arrihet pas rreth 40 ditësh dhe bie në pothuajse zero pas 70 ditësh, pa marrë parasysh se ku  godet, dhe pa marrë parasysh se çfarë masash vendosin qeveritë për të ndaluar atë.

Prof Isaac Ben-Izrael, drejtues i programit të Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Tel Aviv dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim, i tha kanalit të Izraelit 12 të hënën se hulumtimet që ai kreu me një profesor, duke analizuar rritjen dhe rënien e rasteve të reja në vendet e botës, tregoi se “ekziston një model i caktuar” dhe “shifrat flasin vetë”.

Ai tha se mbështet  idenë e distancimit shoqëror, mbyllja e ekonomive në të gjithë botën është një gabim. Në rastin e Izraelit, vuri në dukje ai, rreth 140 njerëz normalisht vdesin çdo ditë. Të mbyllësh pjesën më të madhe të ekonomisë për shkak të një virusi që po vret një ose dy në ditë është një gabim që i kushton Izraelit 20% të PBB-së së tij, tha ai.

Profesor Gabi Barbash, një drejtor spitali dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, insistoi se Ben-Izraeli gabohet, dhe se numri i të vdekurve do të kishte qenë shumë më i lartë nëse Izraeli dhe vendet e tjera nuk do të kishin ndërmarrë hapat që kanë ndërmarrë.

Por Ben-Izraeli tha që shifrat – veçanërisht nga vendet, si Singapori, Tajvani dhe Suedia, të cilat nuk morën masa kaq radikale për të mbyllur ekonomitë e tyre, vërtetojnë tezën e tij.

Kur Barbash përmendi Nju Jorkun si provë të dukshme se Ben-Izraeli ishte gabuar, Ben-Izraeli vuri në dukje se indikacionet e fundit nga Nju Jork ishin saktësisht në përputhje me statistikat e tij që tregojnë çdo ditë raste të reja dhe shifrat kanë filluar të bien pas rreth 40 ditësh.

I pyetur për të shpjeguar fenomenin, Ben-Izraeli, i cili gjithashtu drejton Agjencinë Hapësinore të Izraelit, më vonë tha: “Unë nuk kam asnjë shpjegim. Ndoshta është e lidhur me klimën, ose virusi ka një jetëgjatësi. ”

Ai tha se politika e bllokimeve dhe mbylljeve ishte “histeri masive”. Distanca e thjeshtë sociale do të ishte e mjaftueshme, tha ai.

Nëse bllokimet e vendosura në Izrael dhe gjetkë nuk do të shkaktonin një shkatërrim kaq të madh ekonomik, nuk do të kishte problem me ta, tha ai. “Por ju nuk duhet të mbyllni tërë vendin kur shumica e popullatës nuk është në rrezik.”

I pyetur për të shpjeguar pse virusi kishte shkaktuar një numër kaq të lartë vdekjesh në vende si Italia, ai tha se shërbimi shëndetësor italian tashmë ishte mbingarkuar. “Pati probleme në 2017 për shkak të gripit,” tha ai.

Barbash, duke folur pasi Ben-Izraeli ishte larguar nga studioja, këmbënguli se “ne do të jetojmë me koronavirusin edhe vitin e ardhshëm”.

Ai shtoi: “Unë fuqimisht kërkoj që të mos lejojmë që matematikanët, të cilët nuk dinë asgjë rreth biologjisë, të përcaktojnë kur t’i japim fund masave.”

Përkthyer dhe përshtatur nga Times of Israel/ konica.al