Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, Boiken Abazi, ka paralajmëruar protesta të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë nëse Albin Kurti i shkarkuar me 2/3 e votave të deputetëve, largohet edhe nga ulësja e Kryeministrit.
Gjithë veprimet për të mandatuar një Qeveri i ka quajtur grusht shtet.
“Në protestë kundër grushtit të shtetit në Kosovë, që po tenton Hashim Thaçi me shokë, do ngriheshin jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe mërgata. Jam i bindur për këtë! Le të na arrestojë Edi Rama që e ka qepur gojën përball kësaj pandemie politike”, ka shkruar Boiken Abazi.
Zyrtari i VV’së nga Shqipëria nuk e ka sqaruar nëse grusht shteti në Kosovë po ndodh përmes ushtrisë, revolucionit.
Albin Kurti pasi është shkarkuar nga 2/3 e deputetëve s’e ka dërguar emrin e ri për formimin e mandatarit të Qeverisë ndonëse i është kërkuar disa herë nga Shefi i Shtetit.
Në një intervistë televizive, Kurti ka paralajmëruar se çdo vendim të Presidenti do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, vendimet e së cilës do t’i zbatojë.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.