Prej orës 13.00 kryeministri Edi Rama ndodhet në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët për paketën e zgjeruar për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që qytetarët do të dërgojnë.
“Nëse keni punë në qytet me automjet privat mund të merrni autorizim. E di që ka qenë shumë e shtrënguar, por ka qenë për të garantuar rezultatin e arritur në këtë luftë, për të çuar kurbën në zero. Dhimbjet nga pasojat ekonomike janë të konsiderueshme por halli këtu është jeta e njerëzve. Për ata që thonë se koronavirusi nuk na bën gjë , koronavirusi ne na luan fenë, siç ja bëri më të fortëve se ne. Armiku nuk ka ikur është vërdallë nëse hapim një shteg bën gjëmën. Për bukë kurrë shqiptarët nuk kanë vdekur. Është bukë, kripë dhe zemër, nuk thonë kot për shqiptarët.
Janë 200 mijë njerëz në këtë situatë që kanë ndihmuar familjet në nevojë. E kuptoj shumë mirë vështirësinë por hedhja poshtë e punës së mijëra njerëzve që shkojnë trokasin derë më derë nuk është dinjitoze.
Masat do të shtrëngohen dhe janë vetëm për këtë periudhë. Ndëshkimet do të jenë ekzemplare për të gjitha ata që nuk i respektojnë. Gjobat nuk vihen për popullin, populli nuk i shkel rregullat dhe nëse nuk do të respektoheshin këto masa do ishim në një humnerë. Por pikërisht se populli është në respekt të ligjit, populli nuk merr gjoba, gjobat janë për fajtorët, abuzuesit dhe nuk janë për të mbushur buxhetin. Gjobat janë për të dhënë mesazhin e qartë se në një shtet dhe kur s’ka luftë jetohet me rregulla”, tha kryeministri.
Gjithashtu, Rama theksoi se qeveria ka menduar edhe shpërblimin për të gjithë ata punonjës që kanë punuar në të zezë, pra që punëdhënësit nuk i kanë deklaruar. Por kjo do të përfitohet vetëm nëse ata do të kenë kurajën të denoncojnë kompaninë ku kanë punuar në të zezë.
“Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do marrim përsipër ta ndjekim punën deri në fund që pronari ti regjistrojë dhe do kërkojmë nga pronari të jenë në mbështetje të kësaj nisme, përndryshe do të duhet të përballet me ligjin. nuk mund ta bëj dot nëse këtu vetëm ankoheni isha në të zezë, po ne nuk jemi, ne ju duhemi për vota, asnjë shtet nuk e bën këtë se është e pabëshme, më thoni si e ndajmë ne atë që vjen dhe thotë të vërtetën dhe atë që gënjen. dhe të na dalin këtu sikur të gjithë janë rropatur në të zezë. ndërkohë që e vërteta është që një pjesë ka jetuar me lekët e prindërve duke pirë kafe”, tha Rama.
“Brenda 24 orëve do kemi këtë ofertë për ata që punojnë në të zezë”, theksoi kreu i qeverisë.
Kreu i qeverisë Edi Rama tha se do të ketë një fashë të veçantë orare për ata që e kanë punën me turne. Nëse puna është në qytet dhe dikush jeton shumë larg, apo zona rurale, do të duhet të marrë një autorizim të posaçëm nëse do të lëvizë me makinën personale.
Kryeministri Edi Rama u tregua i qartë kur tha se nuk shtyhen pagesat e sigurimeve shoqërore. “Ti do t’i paguash sigurimet shoqërore të të gjithë atyre që ke në punë”, iu përgjigj Rama një personi që ka biznes.
Kryeministri Edi Rama tha se bonusi 40 mijë lekë do t’i jepet drejtpërdrejt në llogari personit të punësuar dhe jo biznesit. Marrëdhëniet do të jenë direkt, dhe pas aplikimit në drejtorinë e Tatimeve, do të bëhen verifikimet dhe paratë do i kalojnë gjithsecilit prej punonjësve në bankë.