Tashmë është mëse e qartë që edhe nëse futbolli do të rinisë, ndeshjet do të luhen pa tifozë. Për këtë qëllim Real Madrid po planifikon që ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në kampionatin spanjoll si ekip pritës të mos i zhvillojë në “Santiago Bernabeu”.
Është menduar që sfidat e mbetura të luhen te kompleksi “Alfredo Di Stefano”, ku luan ekipi i Real Madrid Castilla (La Liga 3). Për shkak se drejtuesit e klubit madrilen kanë vendosur të nisin rikonstruksionin e “Bernabeut”, Real po mendon të zhvillojë 6 ndeshjet në shtëpi jo në stadiumin mitik, por tek impiani ku luajnë të rinjtë.
Klubi ka marrë konfirmimin e UEFA-s dhe La Liga-s për të luajtur takimet e mbetura të kampionatit në shtëpi në “Alfredo Di Stefano”. Për shkak të rëndësisë dhe interesit të madh, Real po nis përgatitjet për të kompletuar kompleksin me kamera, dhomën e VAR-it, ndriçimin anti-mjegull, etj. Problem mbetet vetëm VAR, pasi të tjerat zgjidhen shpejt.