“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.
Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.
Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”
(Pjesë nga libri “Përpara fundit”, Ernesto Sabato)
***
“Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë më bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino – tregon Sabato.
Nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës time, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita…
“Mbaj mend që gjyshja e nënës time quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme. Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para së të vdiste, nëna ime ia dha gruas time, Matildës, ndërsa më pas, ajo ia dha mbesës time që quhet Marina Sabato. Kështu, kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.”
E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje asaj – ishin fjalët e tij të lamtumirës…
(Pjesë nga intervista e tij, kur ishte në Shqipëri)
***
Ernesto Sabato u nda nga jeta më 30 prillin e vitit 2011, në moshën 99-vjeçare. Ne shqiptarët kemi arsye të përligjura ta kujtojmë këtë personalitet kompleks të trungut tonë amëtar sepse edhe ai, kurrë nuk reshti së kujtuari me krenari origjinën e tij shqiptare. Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011), shkrimtari i dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Engjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi “Nobel”.