Pjesa më e madhe e Europës është ende në karantinë si pasojë e masave të marra në mbrotje ndaj koronavirusit, duke shkaktuar kufizime të mëdha në lëvizje dhe masa administrative për ata që shkelin rregullat. Por Suedia refuzon t’i nënshtrohet këtyre kufizimeve!
Restorantet dhe baret janë të hapura ende në vendin nordik, fushat e lojrave dhe shkollat gjithashtu, pasi qeveria po mbështetet në veprimet ‘’vullnetare’’ të gjithsecilit për të penguar përhapjen e Covid-19. Ky qëndrim i Suedisë tërhoqi vëmendjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur pakënaqësitë e tij rreth këtij qëndrimi të Suedisë.
Por qeveria suedeze është e bindur që politika e saj mund të funksionojë. Ministrja e Jashtme, Ann Linde, ka deklaruar në një intervistë se Trump ishte “faktikisht i gabuar” nëse mendonte se Suedia po ndiqte teorinë e “imunitetit të tufës”, duke infektuar një numër të konsiderueshëm njerëzish, për të ndërtuar kështu imunitet kundrejt sëmundjes. Strategjia e Suedisë, sipas ministres, ishte: “Asnjë bllokim apo kufizim pasi ne mbështetemi totalisht tek njerëzit që marrin vetë përgjegjësinë”.
Epidemiologu i shtetit të vendit, Anders Tegnell gjithashtu ishte kundër kritikës së Trump se Suedia po vepronte gabim duke refuzuar izolimin në këto kohë.
“Unë mendoj se Suedia po vepron mjaft mirë me masat e ndërmarra, pasi kemi parë që kjo sjellje po prodhon rezultate shumë të mira. Deri më tani kujdesi shëndetësor suedez po e trajton këtë pandemi në një mënyrë fantastike.’’- ka deklaruar epidemiologu Tengell.
Që nga 9 Prilli, Suedia ka raportuar 9.114 raste të prekur nga virusi Covid-19 dhe 793 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins. Praktikisht politika e Suedisë ka të bëjë me inkurajimin dhe rekomandimin e një sjelljeve kundrejt qytetarëve dhe jo detyrimin e tyre. Dy ditë pasi Spanja vendosi një kufizim mbarëkombëtar në 14 mars, autoritetet suedeze po inkurajonin njerëzit të lanin duart dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse janë të sëmurë. Më 24 mars, u vendosën rregulla të reja për të shmangur grumbullimin në restoranteve, por ata vijojnë aktivitetin e tyre duke qëndruar hapur. Në të njëjtën mënyrë operojnë dhe shkollat duke lejuar ende qëndrimin e 50 personave në të njëjtin ambient. Mirëpo, Tengell mbrojti vendimin për t’i mbajtur shkollat e hapura.
“Mbyllja e shkollave shkakton mjaft pasoja në kujdesin shëndetësor sepse shumë njerëz nuk mund të shkojnë në punë pasi duhet të kujdesen për fëmijët por dhe vetë fëmijët nuk e përballojnë mirë psikologjikisht mbylljen e tyre. ‘’
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) është skeptike ndaj masave që Suedia po praktikon. Duke vënë re një rritje të numrit të të infektuarve në vend, OBSH ka deklaruar për CNN, se është “e domosdoshme” që Suedia “të rritë masat për të kontrolluar përhapjen e virusit, të përgatisë dhe të rrisë kapacitetin e sistemit shëndetësor për të përballuar fluksin, të sigurojë distancimin fizik dhe të forcojë masat për gjithë popullatën “.
“Kurba” e Suedisë, sa i përket shkallës së numrit të të infektuarve dhe vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi, është sigurisht më e ulët se ajo e shumë vendeve të tjera europiane të cilat kanë zbatuar masa më të rrepta. Një studim nga Imperial College London vlerësoi se 3.1% e popullsisë Suedeze ishte e infektuar (duke filluar nga 28 Mars), krahasuar me 0,41% në Norvegji dhe 2.5% në Mbretërinë e Bashkuar. Sa i përket vdekjeve, deri më 8 prill, koronavirusi llogariste 67 vdekje për 1 milion shtetas suedez, sipas Ministrisë Suedeze të Shëndetësisë.
Por mesa duket këto masa nuk po funksionojnë më, pasi është venë re një numër në rritje i rasteve dhe nisur nga kjo disa studiues suedez, i kanë drejtuar një letër të hapur qeverisë, ku kërkojnë shtrëngim të masave dhe mbylljen e restoranteve, bareve apo qendrave tregtare të cilat janë ende shumë të frekuentuara nga banorët, për të shmangur kështu një skenar më të keq.