MENU
klinika

Gjithçka e varur nga pandemia

Skenari i fundit UEFA-s, pritet një verë e nxehtë

12.04.2020 - 17:43

Në Europë nuk luhet futboll prej një muaji, por nëse situata me pandeminë e COVID-19 do të zgjaste edhe dy muaj, atëherë me siguri sezoni do të anulohej në të gjitha ligat europiane, përfshi edhe kupat e Europës, Champions dhe Europa League.

Megjithatë, ky është skenari më i keq i mundshëm, pasi në korridoret e UEFA-s ky do të ishte opsioni i fundit. Organizmi më i lartë europian në këto momente ka një paln dhe vera duket se do jetë e rezervuar për emocionet e bukura që të fal sporti më i bukur në botë.

Kampionatet mendohet të përfundojnë në korrik, ndoshta edhe në fundin e tij, duke luajtur nga dy ndeshje në javë, ndërsa kupat të gjejnë mundësi me formate sa më me pak ndeshje. Bëhet fjalë për 41 liga, pasi në 13 prej tyre sapo ka nisur sezoni dhe kjo nuk përbën shumë problem, thjesht do të ngjishnin kalendarin.

Për të mos u vënë më tepër ngarkesë në këmbët e futbollistëve përgjatë kësaj kohe, UEFA ka nisur të hartojë edhe një plan edhe për Kupat Europiane, Champions League dhe Europa League.

Sipas asaj që raporton britanikja “Mirror”, UEFA po shqyrton idenë e zhvillimit të këtyre kompeticioneve të rëndësishme për klube në muajin gusht. Gjithçka do të luhet në mënyrë të përshpejtuar, teksa në harkun kohor të vetëm 3 javëve në muajin gusht do të kemi edhe fituesin e këtij sezon.

Për tifozët ndoshta nuk do të jetë aspak problem, pasi përpara i pret një verë e ngjeshur me futboll dhe me emocionet e skuadrave të tyre të zemrës, duke zëvendësuar në një fare mënyre Euro 2020. Të vetmit që mund të mos u pëlqejë kjo ide janë vetë lojtarët, të cilët me shumë ngjasa nuk do të kenë aspak pushim këtë herë. Ndërsa plazhi për ta këtë verë duket një “mollë e ndaluar”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN