MENU
klinika

Rikthimet në fushën e blertë

Data e mundshme të rifillimit në 5 ligat kryesore

11.04.2020 - 13:00

Situata e përhapjes së COVID-19 në Europë vijon të jetë e nderë, por gjithsesi, federatat përkatëse në vendet europiane po bëjnë plane për rikthimin e ligave, kuptohet, me ndeshjet që do të zhvillohen fillimisht pas dyerve të mbyllura.

Gjithçka është në dorën e shteteve dhe situatës që po kalojnë me koronavirusin, duke krijuar pasiguri të madhe në futbollin kontinental. Por ligat kryesore kanë bërë planet e tyre dhe ka që tani një ide të përafërt se kur mund të shohim skuadra në fushë.

SERIA A – Në Itali nuk ka ende një datë zyrtare, si kudo. Liga dhe FIGC po punojnë me tre variante të ndryshme për të filluar. Në teori mund të rinisë më 6 qershor, pasi deri më 3 maj Italia do të jetë e vetëizoluar.

PREMIER LEAGUE – Në Angli emergjenca ka filluar disa javë më vonë se sa Italia, ndaj edhe kampionati pritet që të nisë më vonë se ai italian, gjithmonë nëse rifillon. Mediat angleze shpresojnë që skuadrat të kthehen në stërvitje në fund të muajit maj dhe në mesin e qershorit të fillojnë ndeshjet e mbetura.

LA LIGA – Spanja është po ashtu një nga shtetet më të goditura dhe me më shumë viktima. Presidenti i La Liga, Havier Tebas, ka treguar se në bashkëpunim me UEFA-n janë caktuar tre variante për fillimin: 28 maj, 6 qershor apo 13 qershor. Ndërsa data 28 qershor është e fundit për rifillimin, ndryshe do të anulohet sezoni.

BUNDESLIGA – Gjermania është vendi që i është përgjigjur më mirë krizës së koronavirusit deri tani dhe nuk është aspak çudi që klubet e kampionatit kanë filluar stërvitjen që këtë javë. Nuk ka ende një datë fikse për fillimin e aktiviteteve, por në Federatën Gjermane nuk përjashtojnë mundësinë që të nisë gjithçka që në javët e para të majit.

LIGUE 1 – Në Francë mbretëron kaosi sa i përket rifillimit apo jo të aktivitetit, pasi shumë klube nuk duan të kthehen në fushë pa pasur sigurinë maksimale për lojtarët e tyre. Problem më vete është kthyer edhe situata e pagesave, pasi rrjetet televizive si Canal+ e BeIN i kanë ndërprerë ato. Ndaj për momentin, askush nuk di të thotë kur dhe nëse do të rifillojë kampionati.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN