Në një intervistë telefonike, Slavoj Zizek flet për ndjenjën e solidaritetit që po lind në këtë situatë, në dështimin e shumë organizmave botërorë dhe zhvlerësimin e populizmave. Por, çfarë i mungon më shumë këto ditë? Libraritë. “Libraritë janë ndër vendet e vetme ku ke mundësi për zgjedhje kulturore. Nuk i duroj dot algoritmet nga ‘Amazon’ apo ‘Netflix’, sepse të sugjerojnë atë që ato mendojnë se të pëlqejnë, pa të dhënë mundësinë e zbulimit të gjërave të reja” – thotë ai./Konica.al
“Një ndjenjë e re komuniteti, ja çfarë po lind nga kjo krizë. Një lloj i ri mendimi komunist, por shumë larg nga komunizmi historik”. Kështu thotë në këtë intervistë telefonike Slavoj iek, tashmë 71 vjeç. “Kam gjithë simptomat e Covid-19, por nuk jam pozitiv. Ka vite që nuk ndihem mirë”. Ndoshta për këtë arsye ka vendosur të ngrejë pyetje sesi, pandemia po ndryshon jetët tona, me disa ese të shkruara këto kohë.
Ju shkruani: “I druhem gjumit, sepse më shfaqen makthe mbi realitetin që na pret”. Ajo frikë na prek të gjithëve. Ju çfarë parashikoni?
Realiteti ka ndryshuar tashmë. Shohim qeveri liberale të marrin masa të cilat në kohë të tjera do t’i quanim socialiste: Donald Trump u jep urdhra industrive private mbi çfarë të prodhojnë. Boris Johnson shtetëzon përkohësisht hekurudhat. Të gjithë po jetojmë në një mënyrë që deri para pak muajsh nuk na e merrte mendja. Ka edhe nga ata që mendojnë për një botë e cila do të përfitojë nga virusi për të na kontrolluar të gjithëve dhe sigurisht që është një mundësi. Por unë nuk i besoj totalitarizmave të rinj: në panik sot janë vetë qeveritë, të paafta për të kontrolluar situatën, e jo më të ndërtojnë një shoqëri sipas stilit të Vëllait të Madh. Më shumë i druhem mungesës së besimit ndaj institucioneve. Madje edhe në Kinë, pamë protesta edhe pse modeste. Duhet gjetur mënyra që të rindërtohet besimi tek institucionit. Ndoshta me Assange-in, të rinj që janë të aftë të çjerrin maskën e abuzimeve. Me siguri, virusi tregon se na takon neve, qytetarëve, të ushtrojmë më shumë kontroll ndaj qeverive dhe jo e kundërta.
Po thoni që njerëzit duhet të merren më shumë me politikë?
Dikush thotë, se në këtë krizë duhet të shqetësohemi vetëm për të shpëtuar veten. Unë mendoj të kundërtën: Nuk ka moment më politik, se ky. Pavarësisht paralajmërimeve të shkencëtarëve, qeveritë u zbuluan të papërgatitura. Por, tani që jemi të detyruar të përballemi me më të keqen, është e qartë: Nuk ka më hapësira për “America First” dhe slogane të tilla. Për të mbijetuar, nga tani e tutje shtetet duhet të merren gjithmonë me të ardhmen. Lipset një sistem i ri shëndetësie botërore dhe agjenci ndërkombëtare që të kenë aftësinë për të reaguar me veprime të koordinuara. Nevojiten paga minimale të garantuara, për të cilat, tani po flet edhe vetë Trump. Ideja ime e komunizmit nuk është ëndrra e një intelektuali: po e kuptojmë në lëkurën tonë, se disa masa duhen marrë për të mirën e interesit të përbashkët. Mos ta nënvlerësojmë impulsin që virusi po i jep sistemeve të reja të solidaritetit në nivel lokal dhe global. Testi ynë, do të jetë nëse do të ndërojmë një mënyrë të re jetese apo jo. Por, njerëzit duhet të marrin në kontroll situatën që tani, jo të presin mbarimin e krizës.
E si t’ia bëjmë? Jemi të gjithë të mbyllur në shtëpi.
Jo të gjithë ata që janë mbyllur në shtëpi po e kalojnë kohën duke parë filma idiotë. Shumë po e shfrytëzojnë këtë kohë për të reflektuar. Dhe për të zgjedhur. Është e vërtetë, jemi më të izoluar, por edhe më të ndërvarur nga njëri-tjetri. Jetojmë një imperativ paradoksal: jemi më solidarë, duke mos iu afruar njëri-tjetrit. Kurrë nuk kam qenë optimist, por ky respekt presupozon një ndryshim të thellë në sjellje që do t’i mbijetojë krizës.
Me të vërtetë do të mësojmë diçka nga e gjitha kjo?
Kostoja psikologjike është e tmerrshme. Sigurisht, izolimi krijon edhe forma të reja paranojake. Kjo mund të shihet në shumë histori komploti që po qarkullojnë në rrjet dhe vende si SHBA dhe Kina që po zihen për origjinën e virusit. Por, e përsëris, do të jemi më të vetëdijshëm mbi atë se çfarë do të thotë të jesh afër tjetrit, në të mirë e në të keq. Për shembull, ritakimet do të jenë gëzim më vete. Pastaj kjo situatë nxori në pah edhe dallimet sociale. Unë mendoj për egoizmin e super të pasurve të mbyllur në bunkerët e tyre ose në jahte. Madonna postoi video nga vaska, duke thënë se ne të gjithë jemi në të njëjtën barkë. Nuk është kështu dhe njerëzit e kuptojnë. Heronjtë e rinj, janë njerëzit e zakonshëm.
Për të ndaluar përhapjen e virusit, kufijtë u mbyllën. Në një farë mënyrë jemi përpara një forme të re nacionalizmi. Nuk mendoni se është një ringjallje e populizmit?
Nëse dikush u zbulua lakuriq, është pikërisht mesazhi populist. Njerëz si Donald Trump apo Jair Bolsonaro treguan maskën e tyre duke dhënë idenë se ishin gati të sakrifikonin më të dobëtit. Dhe në Europë nuk funksionoi strategjia për t’ia hedhur fajin kinezëve apo regugjatëve. Virusi u përhap nga turistët dhe njerëzit e biznesit. Edhe rendja e amerikanëve për të blerë armë ishte diçka naive. Mendojnë të mbrojnë shtëpitë, por sëmuren sepse nuk lajnë mjaftueshëm duart. Të gjithë po kuptojmë se sforcimet e izoluara kombëtare nuk mjaftojnë. Limitet e populizmit nacionalist që këmbëngul për sovranitetin shtetëror tashmë po i shohin të gjithë. E përsëris, solidariteti global dhe bashkëpunimi janë e vetmja rrugë e arsyeshme për t’u ndërmarrë. Por ama duhet të përballemi edhe me të ardhmen e Bashkimit Europian. U tregua në mënyrë qesharake pasiv. Mund të ndërmerrte masa konkrete dhe të shpërndante ndihma, por nuk e bëri. Ka dështuar.
Ende nuk ka mbaruar emergjenca. Si të rezistojmë deri atëherë?
Po përjetojmë një situatë të jashtëzakonshme, prej aty mund të na nxjerrë më e mira ose më e keqja. Nuk do të bëhemi të gjithë budistë apo shenjtorë katolikë. Për të përballuar vetminë gjëja më e mirë është të ecim përpara duke vendosur rutinat bazike ditore. Një përsëritje që të shmangë rënien në kaos. Duhet të ruajmë një rregull, për të qenë gati nesër.
Edhe ju po qëndroni në shtëpi. Çfarë ju mungon më shumë?
Të shkoj në librari. Libraritë janë ndër vendet e vetme ku ke mundësi për zgjedhje kulturore. Nuk i duroj dot algoritmet e Amazon apo Netflix, sepse të sugjerojnë atë që ato mendojnë se të pëlqejnë, pa të dhënë mundësinë e zbulimit të gjërave të reja. Në librari shkon për të kërkuar diçka dhe shpesh herë kthehesh në shtëpi me diçka tjetër. Libraritë janë të pazëvendësueshme dhe është shumë e rëndë që kriza po i gjunjëzon.
*Slavoj Zizek është filozof, sociolog dhe akademik slloven. Studiues i marksizmit, idealizmit gjerman dhe i psikanalizës lekaniane, është i njohur për përballjen me temat e aktualitetit duke bashkuar konceptet filozofike me kulturën popullore./tiranapost
Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka