Federatat në Europë po propozojnë skenarë nga më të ndryshëm për të përfunduar sezonin actual pa cënuar shëndetin e futbollistëve apo tifozëve. Federata e Futbollit në Spanjë dhe La Liga kanë marrë sot një propozim shumë interesant për vazhdimësinë e sezonit.
Një grup i njohur hotelerie në Spanjë i ka propozuar që të mbyllin këtë edicion në Ishujt Kanarie. Grupi bën të qartë se Ishujt Kanarie kanë hotele të mjaftueshme pasi presin dhjetëra milionë turistë çdo vit.
Ato janë plotësisht të izoluar, duke qenë një numër i madh ishujsh të vegjël e që nuk rrezikonin shpërndarjen e virusit, ndërsa kanë edhe komplekse stërvitore e stadiume për të garantuar si mbylljen e La Liga, ashtu edhe të La Liga 2.
Në letër bëhet e qartë se ndryshe nga shumë vende të tjera turistike, në Ishujt Kanarie ka temperatura të cilat nuk bëhen ekstreme në verë, ndaj mund të luhet rregullisht edhe në korrik e gusht, që kishte qenë një nga shqetësimet e lojtarëve.
Ata kanë bërë të ditur se janë kurdo të hapur për të diskutuar më gjerësisht planet se si mund të zhvillohen aktivitetet, por duke siguruar se në këtë mënyrë, do të kishte një zgjidhje shumë më të lehtë për të gjithë.