MENU
klinika

Stavri Sinjari

Të moshuarit, corona dhe… Everesti

17.04.2020 - 10:20

Lind njeriu, fatin e ka të paktën, një në tre milion mundësi.
Urimi i parë i jepet prindërve për të: ”t’ju rrojë; me jetë të gjatë”!
Çdo datë/ditë lindje i urojnë …”edhe 100”, (vite të tjerë mbi atë që është).
Kur del në pension, urohet: “…me shëndet e…pleqëri të mbarë”!
Më pas … rrugëtim, ngjitje e vetëm ngjitje, deri në kuotën e shkruar.
Kjo është kurba e jetës së njeriut, nga lindja tek stacioni i fundit. Kuota më e mirë, duket ajo që i kanë uruar çdo vit, “+100” më e larta, si maja e Everestit. Sot edhe maja e Himalajeve është shndërruar në një atraksion turistik, por “100”-shi jetës nuk prenotohet dot. Shëndetësia, ekonomia, mirëqenia, edukimi, kultura, liria, kanë krijuar premisa, pak njerëz e arrijnë. Objektivi “100” vjeç ka dy presa, sa më shumë i afrohesh, më pak hapa të mbeten deri tek stacioni i zbritjes.

Jeta është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por dhurata më e bukur dhe e shtrenjtë e njeriut.
Dalëngadalë fillon të ndjejë kufizimet, rënien, ikjen e shpejtë të kohës, nostalgjitë, frikën e të ardhmes, ndjen moshimin. Tek çdo njeri lind shqetësimi i ndryshimit të “prefiksit” të moshës: 5., 6., 7., 8., 9… Kohën e mat me dhjetëshe: i pesti, i gjashti, i shtati… fillon të dyshojë për mundësitë që i mbeten, që të arrijë deri atje lart fare, te maja.
Dyluftim për ç’do hap që hedh, goditet mbrohet, vazhdon rrugëtimin.

Më i veçantë momenti i daljes nga puna. I jepet formulari pensioni i pleqërisë sikur i “certifikohet” titulli “plak” nga vet shteti, një emërtim që nuk bazohet shkencërisht. FMN, OBSH bazuar në mesataren globale të jetës së njeriut, sugjerojnë si fillim të mplakjes dhjetëvjeçarin e tetë. Deri sot asnjë mjek gerontolog… s’ka mundur të përcaktojë saktë moshën e pleqërisë, me pensionin jo se jo. I ri del në pension piloti, dikush nga puna e vështirë me rreze, toksina etj. Pensioni nuk vjen nga mplakja por nga nevoja e zëvendësimit të brezave me energji të reja.

“Plak” i thonë një të mençuri, të parit të fshatit, këshillit pleqnor, zhargon midis të rinjve. Në disa vende të kulturuara emërtimi “plak” ka një implikacion të fortë diskriminues.
Të moshuarit i vjen goditja tjetër, nga të ardhurat prej pensionit. Kalkulimet, tabelat, udhëzimet, e rrumbullakosin qesen e pensionistit në një “kokërr hudhër”.
Fillon që maja e Tomorrit u duket atyre si Everesti. Të mënjanuar, të tkurrur nga shëndeti e shoqëria, të duruar, me huqe, përpiqen të jenë të dobishëm për familjen e vehten. Shteti kur ia ka nevojën, pas ndonjë epidemie, tërmeti, i zbulon aty ku struken, u vë në kokë një kurorë dafine dhe përsëri… “i harron”. Pa i ngrënë hakun, u jep edhe një gjysmë gjeli çdo vit të ri.
Edhe Corona virusi nuk i desh, të moshuarit i goditi më keq, sikur i kishte “armiq personal”. Përsëri treguan fisnikërinë e tyre. Kuptimplot mesazhi që përcolli një veteran anglez, që e kishte kaluar kuotën “+100”: “…gjatë kohës së Luftës ne dolëm jashtë shtëpisë, të luftonim që të jetonin të lirë fëmijët tanë, sot po mbyllemi në shtëpi, që të mos rrezikojmë jetët e tyre”.
Corona zbuloi edhe një kategori jo njerëzore, që nxit luftën kundër të moshuarëve, tipike për botën ku më i forti sundon kopenë me luftë. Mjeku hollandez, Kelder e quan gabim që: –“…po shpëtojmë 80 vjeçarët… sa dëm ekonomik sjell shpëtimi i përkohshëm i njerëzve që me siguri do të vdesin brenda 2 vitesh” thotë ai. Hipokrati duhet t’i heq licensën këtij mjeku!
Marrëzia njerëzore arrin deri aty, sa një zv.guvernator shteti përtej oqeanit, i bën thirrje gjyshërve të vdesin me dëshirën e tyre, që të rritet ekonomia për nipërit e mbesat?!

Ka kurime selektive për të prekurit me coronë në spitale; por edhe nisma solidariteti e të rinjve me të moshuarit ose në Itali, një e moshuar që vullnetarisht ia la shtratin e spitalit një të riu.

Prandaj, o njerëz, i uroni të moshuarit: “edhe 100”, se do moshoheni dhe vet!
Është urimi më i mirë tu themi të gjithëve:- “u plaksh”, se nga aty kalon rruga për Everest!