Në vitin 1843, kur porta e lartë, e proklamoi “Hatisherifin e Gjylhanes” në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në fillim qendrat e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë filloi zëvendësimin e feudalëve shqiptarë, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive për islamizimin e popullatës dhe osmanizmin e administratës.
Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bëte presion shumë të madh ndaj kriptkatolikëve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoj zhvillimin e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.
Në vijim po ofroj disa nga shembujt e mbledhur në ditarët e mi, gjatë punës time në terren:
Një numër i madh i popullatës shqiptare në viset veriore, edhe pas shumë sakrificave deri në këtë periudhë, ju kishte përballuar të gjitha presioneve të pushtetit osman, që kishte ndërmarrë për islamizimin e dhunshëm të shqiptarëve.
Pas shpalljes së reformave të reja, ku identifikimi i kombit bëhej sipas religjionit, shqiptarët e islamizuar detyroheshin të regjistrohen si osmanlinj.
Pjesa dërmuese e shqiptarëve për t’i shpëtuar këtij procesi, u detyruan të regjistrohen si bullgar, serbë dhe kroat. Numër i madh i shqiptarëve të besimit ortodoks shkuan në drejtim të Beogradit dhe atje u serbizuan, ndërsa një numër që mbeti rreth qyteteve dhe fushave në Kosovën e sotme, pas dy dekadave, me hapjen e shkollave laike serbe dhe kishtare në Kosovë, këta shqiptarë u serbizuan.
Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj shqiptarëve që paraqiteshin si myslimanë të rrejshëm (kriptokatolikë të fshehtë).
Këtë dhunë në familjet shqiptare për ta pranuar procesin e islamizimit mund ta vërtetojmë me shumë argumente dhe përmes kujtimeve të popullatës për gjenezën familjare në shumë fshatra të Kosovës.
Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës kriptokatolike në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit.
Për shkak të rezistencës që ta pranojnë me dhunë procesin e myslimanizmit, banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan nga feudalët shqiptarë me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptarë i mbushën burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’inxhire i dorëzuan tek ushtria osmane, të cilët u internuan si kundërshtar të islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël.
Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë rrugës pësuan torturat më barbare që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga torturat e shumta shumë prej këtyre shqiptarëve të arrestuar vdiqën rrugës për në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P. Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në vendlindje vetëm 102 shqiptarë.
Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella malore.
Gjatë fushatës së arrestimeve të kryengritësve shqiptarë në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kurshumlisë, Krushecit, Prrokuplës, Nishit, Leskocit, dhe Vrajës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranonte islamizimin në familjet e tyre.
Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit, Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte më i vogël.
Sipas njoftimeve të Tihomir Gjorgjeviqit, i cili shkruante, numrin më të madh të osmanlinjve në Beograd e përbënin arnautët. Ai po ashtu shkruan se edhe në Aleksinc dhe në Qypëri, shqiptarët kanë jetuar shumë kohë më përpara. Mes tjerash Tihomiri njofton se në vitin 1821, në Qypëri vijnë për të jetuar edhe 15 familje shqiptare nga malësia e Galabit.
Kjo ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve në kryengritje, dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane, ndaj tyre. Po ashtu një numër i madh, i familjeve shqiptare ortodokse, nga fshatrat e Artanës, Dardanës, Gjilanit dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve të dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit, Prokuples dhe Leskocit, ku presioni i ushtrisë osmanë ishte pak më i vogël. Në anën tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse, stimuloheshin që të lëvizin në drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e tyre në qytetin e Nishit.
Shqiptarët e zonës së Krushecit, Prokuples, e të cilët që nga fillimi i kishin përkrahur, lëvizjet e kryengritjeve shqiptare, nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut, e kundërshtonin lëvizjen e serbëve drejt vendbanimeve të tyre.
Bazuar në dokumentet arkivore serbe, Sadullah Brestovci shkruan se, në fshati Gërgur të Arnautllukut, agjentët serbë e kishin vrarë një spahi shqiptar. Si reagim ndaj kësaj vrasje në Krushec, ishin mbledhur për të kundërshtuar 5000 shqiptar.
Është me rëndësi të ceket se, gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare, që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës.
Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvesuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, më qëllim të falsifikimit të historisë së tyre u dëmtuan.
Si shembull, po ofrojë të dhënat, sipas qytetarëve serbë për bartjen e gurëve, prej manastirit të Moçarës, në kishën e Reçanit (Hajnocit), në komunën e Dardanës.
Nga: Dr. Qazim Namani