MENU
klinika

Detajet

Universiteti i Marburgut prodhon dy modele “të thjeshta” respiratorësh

02.04.2020 - 08:03

Shkencëtarët në Universitetin gjerman të Marburgut kanë zhvilluar dy modele aparaturash për frymarrje, apo respiratorë “të thjeshtë” që mund të ndihmojnë për të lehtësuar presionin ndaj spitaleve që po ndeshen me një fluks të pacientëve me koronavirus. Të dy pajisjet mund të prodhohen shpejt, janë me kosto relativisht të ulët dhe mund të përdoren në situata kur klinikat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për pacientët me probleme të frymarrjes:

Pandemia e koronavirusit ka nxitur kompani, shekencëtarë dhe shumë qendra akademike që të ndihmojnë në trajtimin e problemit të mungesës së aparaturave për frymarrje në shumë spitale për shkak të fluksit të pacientëve të infektuar me Covid-19. Në këtë përpjekje është përfshirë edhe Fakulteti i Fizikës në Universitetin e Marburgut në Gjermani, që ka prodhuar dy modele të thjeshta respiratorësh.

Respiratorët nuk janë të përshtatshëm për trajtimin parësor të rasteve akute të rrugëve të frymëmarrjes të shkaktuara nga COVID 19, thotë Caroline Sommer, kandidate për doktoraturë në fushën e fizikës në Universitetin e Marburgut, duke shtuar se ato nuk janë aq të fuqishme sa ventilatorët profesionalë.

“Një pacient i prekur rëndë nuk duhet të lidhet direkt me modelin e pajisjes sonë. Ai së pari duhet të jetë i lidhur me një respirator profesional. Dhe kur pjesa më e kritike e trajtimit të ketë mbaruar, atëherë pacienti mund të përdorë pajisjen tonë. Pra, qëllimi është të krijohet një lehtësim për sistemin shëndetësor, në mënyrë që ventilatorët profesionistë të jenë në dispozicion të pacientëve që janë në gjendje kritike”.

Ndërsa njëri është frymëzuar nga një pompë tradicionale dore me funksione shtesë dhe është i automatizuar, respiratori tjetër bazohet në pajisjet e përdorura për të trajtuar sëmundjen e ndërprerjes së gjumit, të quajtur apnea.

“Po, është një pajisje që përdoret për terapinë e gjumit, për të trajtuar çrregullimet e gjumit. Ajo funksionon duke aplikuar presion pozitiv në rrugët e frymëmarrjes së pacientit, duke ia lehtësuar procesin e frymëmarrjes. Kjo pajisje është në përdorim në Gjermani. Ky opsion është më i lehtë për vendet e zhvilluara teknologjikisht sepse këto makina tashmë ekzistojnë në këto vende. Ajo që ne bëmë ishte ndërtimi i një aksesori, jo modifikimi i saj. Kështu që ju duhet të keni pajisjen origjinale plus pajisjen tonë dhe më pas ato mund të përdoren nga pacientët”, thotë Sommer.

Të dy pajisjet mund të prodhohen shpejt, janë me kosto relativisht të ulët dhe mund të përdoren në situata kur klinikat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për pacientët me probleme të frymarrjes.

Studentja Caroline Sommer thotë se për prodhimin dhe përdorimin komercial të këtyre respiratorëve duhet një miratim përfundimtar dhe u bën thirrje politikanëve që ta bëjnë këtë të mundur në mënyrë që pajisjet sa më shpejt të jenë në dispozicion të spitaleve në Gjermani./VOA