MENU
klinika

Çfarë s’duhet të bëjnë gjatë orarit të daljes

Urdhrat e reja të Ramës, Policia sqaron si do lëvizin pensionistët

17.04.2020 - 17:32

Policia e Shtetit ka reaguar duke dhënë disa këshilla e udhëzime, në lidhje me urdhrin e fundit të kryeministrit Rama, për daljen e pensionistëve nga shtëpia ditën e nesërme.

Në një njoftim për mediat, policia u bën thirrje gjithë pensionistëve, se gjatë orarit të daljes, të respektojnë distancimin social, të mos qendrojnë në grupe me më shumë se dy persona dhe të mos ulen në parqe e lulishte.

“Shërbimet policore do të mirëpresin dhe do të asistojnë pensionistët, do të jenë pranë tyre për çdo gjë që të kenë nevojë”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit gjithashtu ka përsëritur urdhrin e Ramës në lidhje me lëvizjen e makinave gjatë fundjavës, ku thuhet se do të mund të qarkullojnë vetëm ata drejtues që kanë leje për të punuar në fundjavë.

Njoftimi i plotë

Policia e Shtetit

Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë. Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës. Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore