MENU
klinika

Efektet anësore

10 gjëra që nuk duhet t`i vendosni kurrë në fytyrë

08.05.2020 - 09:02

Dihet që shumica e produkteve kozmetike janë të mbushura me kimikate, prandaj duhet të tregoni një kujdes të madh kur zgjidhni se çfarë do të përdorni. Shumë njerëz preferojnë të përdorin produkte me përbërje bimore që i përgatisin vetë në shtëpi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që çdo produkt me përbërje bimore mund ta vendosim në fytyrë. Ka disa produkte që nuk duhet t`i përdorni asnjëherë në fytyrë edhe pse shumica prej nesh e bëjnë. Këto janë produktet që nuk duhet t`i vendosni kurrë në fytyrë.

Locioni i trupit

Shumë njerëz vendosin locionin e trupit në fytyrë në mungesë të hidratuesit të fytyrës. Duhet të dini që jo të gjitha produktet e përkujdesit të lëkurës janë njësoj. Locionet e trupit janë më të trashë, më të vajisur dhe me më shumë aromë se kremërat e fytyrës. Nëse i vendosni në fytyrë mund të keni reaksione alergjike, puçrra ose efekte të tjera të padëshiruara.

Sheqeri

Sheqeri është shumë i përdorur në scrub-et që përgatiten në shtëpi, por duhet të keni kujdes me përdorimin, pasi ashpërsia e tij mund të dëmtojë lëkurën delikate të fytyrës.

Limoni

Limoni mund të ketë shumë benefite, por mos e vendosni asnjëherë në lëkurë para se të dilni. Limoni e bën lëkurën të ndjeshme nga drita dhe nëse e përdorni para se të dilni mund të shkaktojë irritime, madje edhe djegie të lëkurës.

Pasta e dhëmbëve

Shumë njerëz e përdorin pastën e dhëmbëve për të luftuar puçrrat apo pikat e zeza. Kjo gjë është shumë e gabuar, pasi pasta e dhëmbëve mund të shkaktojë djegie apo infeksione në lëkurë.

Soda e bukës

Soda e bukës përdoret gjerësisht në kuzhinë apo për pastrim, por nëse jeni duke e përdorur në lëkurë duhet të ndaloni menjëherë. Soda ka natyrë alkaline dhe vendosja e saj në fytyrë mund të ulë pH e lëkurës duke e bërë më të thatë. pH i balancuar krijon një barrierë për zhvillimin e baktereve, prandaj prishja e tij krijon kushte për rritjen e baktereve dhe si pasojë krijimin e puçrrave.

Sapuni

Po, e lexuat mirë. Sapuni nuk duhet të përdoret për larjen e fytyrës, pasi e than atë. Është mirë që larësi i fytyrës të heqë vajin e tepërt, por jo edhe vajin që i duhet fytyrës. Përdorni një larës të lëngshëm më mirë.

Vaji i kokosit

Vaji i kokosit mund të ketë benefite të shumta, por nuk rekomandohet për ata që kanë fytyrë të yndyrshme. Ai përthithet me vështirësi nga fytyra duke bllokuar poret.

Llaku i flokëve

Mund t`ju duket e çuditshme, por shumë njerëz e përdorin llakën e flokëve për të fiksuar grimin. Kjo gjë ndikon në dehidratimin e lëkurës duke e bërë atë të duket e thatë dhe e rrudhur.

Majoneza

Majoneza mund të përdoret në shumë maska flokësh, por duhet ta mbani sa më larg fytyrës. Ajo bllokon poret dhe nuk e lejon fytyrën të marrë frymë.

Shampoja

Ndodh shpesh që shampoja të zbresë në fytyrë kur lajmë flokët duke e bërë fytyrën tonë më të thatë. Fytyra ka nevojë për larës më delikatë, prandaj shmangeni shampon.