MENU
klinika

Përbëjnë 22% të gjithë të punësuarve

278 mijë shqiptarë punojnë pa rrogë

05.05.2020 - 12:51

Më shumë se 278 mijë shqiptarë punojnë pa pagë në bizneset familjare. Të dhënat e Instat treguan një rritje të këtij treguesi për vitin 2019 në 22% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, nga 21.5% që kishte qenë një vit më parë.

Kategoria e të punësuarve pa pagë zë ende një peshë mjaft të lartë në tregun e punës. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 409 mijë të vetëpunësuar pa pagë në aktivitetet e tyre private, në total janë rreth 687 mijë shqiptarë ose rreth 54.3% e gjithë numrit të të punësuarave që hyjnë në kategorinë e ashtuquajtur “punësim i brishtë”. Ai klasifikohet si i brishtë, sepse, ose nuk siguron të ardhura në rastin e të punësuarve pa pagesë në familje, ose bart më shumë rreziqe për punësimin afatgjatë, në rastin e të vetë punësuarve.

Aktivitetet e vogla private ku individët janë të vetëpunësuar, për shkak të përmasave, kanë konkurrueshmëri më të ulët dhe japin pak siguri për punësim dhe të ardhura afatgjata. Për disa dekada, vetëpunësimi familjar ka mbijetuar sidomos falë nivelit të lartë të informalitetit. Vitet e fundit, trysnia në rritja për formalizim e ka vështirësuar mbijetesën e bizneseve të vogla familjare të shërbimeve. Përqindja e lartë e punësimit të brishtë është një nga karakteristikat kryesore të ekonomive të pazhvilluara. Diferencat e Shqipërisë me ekonomitë fqinje janë mjaft të mëdha.

Për shembull, në Maqedoni punësimi i brishtë përbën vetëm 19% të totalit, në Bosnje Hercegovinë 16% dhe në Mal të Zi vetëm 13%. Në vendet më të zhvilluara kjo përqindje është, mesatarisht, në nivele edhe më të ulëta. Pesha shumë e lartë e punësimit të brishtë në tregun shqiptar të punës mund të interpretohet kryesisht me përmasat e vogla të ekonomisë dhe me nivelin e ulët të zhvillimit cilësor të sipërmarrjes private.

Pagesat për profesionistët e lirë

Afati i fundit për të rifreskuar llogarinë bankare

Kushtet që duhet të plotësohen

Pensionet familjare, kush përfiton?

Kostot e prodhimit të produkteve po rriten më ngadalë

Si pritet të jenë çmimet për festa?

Lehtësohen lejet e ndërtimit në fshat

Detaje nga projektligji i qeverisë për faljen e gjobave