Astronomët thonë se kanë zbuluar një vrimë të zezë tepër afër tokës, as 1 mijë vite dritë larg prej nesh.
Ajo u gjet në një sistem të quajtur HR 61819, në konstelacionin Teleskopium. Sistemi u duk përmes një teleskopi si një yll i vetëm ndriçues, por më herët ishte kuptuar se në fakt aty ishin dy yje prezente, shkruan The Guardian.
Tani ekspertët po thonë se kanë analizuar të dhënat më thellësisht dhe kanë zbuluar se kishte një tjetër trup brenda sistemit: një vrimë e zezë me një masë katër herë më të madhe se dielli ynë, dhe më e afërta me tokën deri tash. “E kuptuam se ajo që po shihnim nuk mund të shpjegohej me vetëm dy yje,” tha Dietrich Baade, një astronom famoz nga Observatori i Evropës Jugore (ESO) dhe bashkëautor i studimit.
“Njëri prej yjeve lëviz periodikisht, me një periudhë 40 vditësh,” tha ai. “Dhe e vetmja formë për ta kuptuar atë periudhë dhe shpejtësinë tepër të madhe prej 60 kilometrash për sekond me një masë pesë herë më të madhe se ajo e diellit ishte të konkludonim se aty kishte edhe një tjetër trup shumë masiv që, megjithatë, nuk ishte i dukshëm.”
Me fjalë të tjera, një vrimë e zezë – një objekt që zakonisht formohet nga kolapsimi gravitacional i një ylli gjigant. Dhe për më tepër, kjo vrimë e zezë doli të ishte e pazakontë. “Veçantia e kësaj vrime të zezë është që është përnjëmend e zezë,” tha astronomi. “Gati të gjitha vrimat e zeza që janë zbuluar në Rrugën e Qumështit ndriçojnë nga rrezet X.” Ky studim po cilësohet si epokal nga shumë studiues të njohur në botë.