Covid-19 e ka ndauar botën, ka marrë mijëra jetë dhe ka shkaktuar pa fund vështirësi ekonomike.
Ndërsa qeveritë e BE-së tani ndërmarrin hapa drejt rihapjes, nevoja për të shmangur gabimet e së kaluarës dhe për të “rigjallëruar” projektin evropian është më e madhe se kurrë.
Pandemia e kapi BE të papërgatitur. Ditët e hershme të saj, vendet anëtare panë konkurrencë kundër njëri-tjetrit për furnizime mjekësore, pastaj u grindën pë faturën për paketën e shpëtimit dhe, pastaj miratuan një sërë masash të pamjaftueshme ekonomike për emergjencën.
Fondet mund të jenë të përshtatshme për një afat të shkurtër, ato nuk i japin fund mangësive serioze strukturore që na kanë bërë të prekshëm nga kjo tronditje. Ne e dimë se vendimet që BE merr sot do të përcaktojnë qëndrueshmërinë e projektit të tij, dhe, me sa duket, vetë ekzistencën e tij.
Kujtimet e dhimbshme të krizës ekonomike të vitit 2008 janë të gjalla për shumë evropianë. Në të gjithë Evropën, qeveritë zbatuan masa mizore shtrënguese që shkaktuan ulje të buxheteve për spitalet dhe kujdesin e përgjithshëm shëndetësor, dobësimin e rrjetave të sigurisë jetësore dhe një seri të privatizimeve të mallrave publike.
Këto masa u promovuan dhe u zbatuan nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane.
Gjatë dekadës së fundit, pabarazitë dhe padrejtësitë shoqërore kanë dominuar kudo, duke nxitur ngritjen e partive të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën.
Midis 2011 dhe 2018, Komisioni lëshoi 63 udhëzime për vendet anëtare për të zvogëluar shpenzimet e kujdesit shëndetësor ose të privatizojnë shërbimet shëndetësore. Është shumë e rëndësishme për vendet evropiane që të mobilizojnë të gjitha burimet e nevojshme për të forcuar sistemin e shëndetit publik, duke shtetëzuar institucionet e kujdesit shëndetësor nëse është e nevojshme.
Duhet të rrisim fondet për kërkime mjekësore dhe të sigurohemi që është pa kufizime të pronësisë intelektuale, të krijojmë një kornizë të vërtetë evropiane të planifikimit shëndetësor dhe burime të grupeve për prodhimin e përbashkët të pajisjeve dhe ilaçeve mjekësore.
Pandemia po nxjerr në pah pabarazitë ekzistuese në shoqëri.
Përkundër asaj që ne shpesh dëgjojmë, Covid-19 nuk i prek të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë. BE duhet të sigurojë mbrojtjen dhe dinjitetin e të gjithë punëtorëve dhe të mos lërë askënd pas.
Ne nuk mund ta shohim përsëritjen e asaj që ndodhi pas vitit 2008 ku bankat dhe korporatat që morën miliarda euro në pagesa të financuara nga paguesit e taksave, vazhduan të paguanin miliona euro në dividentë dhe rroga me gjashtë shifra.
Gjithashtu, pandemia tregoi qartë paqëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit global.
Marrëveshjet tregtare siç janë ato që BE ka nënshkruar me Kanadanë dhe Vietnamin ose marrëveshjen e lidhur kohët e fundit me Meksikën, kanë shërbyer për të transferuar prodhimin e produkteve vitale, duke dobësuar pavarësinë tonë dhe aftësinë për t’iu përgjigjur krizës.
Është koha për një strategji të re industriale dhe për një politikë të re të tregtisë së drejtë të përqendruar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe respektimin e mjedisit.
BE nuk duhet të përsërisë të njëjtat gabime që bëri pas krizës ekonomike të vitit 2008.
Kjo është një krizë kolektive ku dështimi i njërit, është dështimi i të gjithëve, asnjë vend nuk duhet të përballojë vetëm pasojat.
Kriza Covid-19 duhet të forcojë vendosmërinë tonë për të luftuar për një Evropë që punon për njerëzit dhe planetin më shumë se për lakminë dhe fitimin. Që kjo të ndodhë me të vërtetë, ne kemi nevojë për një alternativë të vlefshme në një Evropë pas pandemisë.
Solidariteti është kura.
Përkthyer dhe përshtatur nga EU Observer/ konica.al