MENU
klinika

Ç'është bovarizmi?

“Duhet të kesh zemër për të kuptuar të tjerët”

08.05.2020 - 15:43

         Gustav Flober (Gustave Flaubert), shkrimtari i mirënjohur francez dhe nismëtar i Natyralizmit, vdiq më 8 maj 1880. Tema kryesore e veprave të tij ka qenë kontrasti midis iluzionit dhe realitetit, midis jetës së ëndërruar dhe përvojës, midis dëshirës së pamat dhe rëndomësisë së ekzistencës. Bëhet fjalë për një kontrast tragjik, i cili zbulon pesimizmin radikal të shkrimtarit./Konica.al

Romani që shënoi një epokë

I konsideruar si nismëtari i natyralizmit në letërsinë franceze, Floberi njihet mbi të gjitha për romanin “Zonja Bovari”, si dhe për padinë e imoralitetit që i shkaktoi kjo vepër. Historia e Zonjës Bovari u botua me pjesë në revistën “Revue de Paris” në 1856 dhe dëshmoi një pikë kthese të vërtetë në letërsinë evropiane. Ema, protagonistja, është një personazh i mbizotëruar nga shtirja, e ushqyer nga ëndrrat dhe ëndërrimet të destinuara pashmangshmërisht për t’u shkatërruar (prej nga edhe termi bovarizëm). Romani qe një sukses i madh, edhe për gjykimin e autorit që pasoi. Edhe pse i pafajshëm, Floberi, i cili ishte paditur për lapërdhi, doli i drobitur nga çështja gjyqësore.

Gustav Flober lindi në Rouen më 12 dhjetor 1821, i ati ishte kryekirurg i qytetit, ndërsa nëna pronare tokash. Floberi filloi të shkruante që në adoleshencë. Në vitin 1836, në plazhin e Trouville, ai u takua me Elise Foucault, vajzë e martuar, muzë e shkrimtarit për romanin “Edukimi i ndjenjave” (1843-1845). Ai studioi drejtësi në Paris, por pas disa vitesh u kthye në Rouen. Në 1846, së bashku me të ëmën u transferua në shtëpinë e fshatit në Croisset, në Seine, ku shkroi gati të gjitha kryeveprat e tij më të rëndësishme. Në vitet në vijim, ai udhëtoi në Lindjen e Mesme, Greqi, Itali, së bashku me mikun e tij Maxime Du Camp. Vepra e parë pas kthimit nga turneu ishte “Zonja Bovari”, e shkruar midis 1851 dhe 1856, romani i tij kryevepër. Në vitet 1863-1869, Floberi iu përkushtua rishkrimit të “Edukimit të ndjenjave”, një nga romanet më të rëndësishëm të autorit francez. Për shkak të një krize epilepsie, Gustav Flober vdiq në Croisset më 8 maj 1880./Konica.al

Në shtëpi, me miqtë e tij, ai kishte një zë dhe gjuhë jashtëzakonisht të butë. Pranë të  padëshiruarve, ai sillej me një vrazhdësi ushtaraku. Brenga e gjithë jetës së tij mbeti fakti që nuk ia doli të kishte sukses në teatër. Në letërsi, Floberi ishte i pamëshirshëm. “Kur Floberi shkruan romanin e tij, të gjitha gratë që ka dashur i vijnë në kokë. Ai i vjedh secilës diçka. Njërës i merr floknajën, tjetrës nuancën e lëkurës, të tretës koketerinë, të katërtës veshjet, të pestës ëndrrat prej bashkëshorteje të mashtruar”.

Sartri e prezantonte Floberin si shkrimtar reaksionar par excellence për përbuzjen që ai ndjente ndaj politikës. Sidoqoftë, nga studimi historik i paraqitur në “Edukimi i ndjenjave” deri në tablonë e sjelljeve të një epoke te “Zonja Bovari”, vepra mbetet një kronikë e mprehtë e kohës së tij. Nëse do t’u vendosnim shkrimtarëve francezë diçitura karakteristike të ngjashme me ato që Aleksandrinët iu atribuonin dialogëve të Platonit, nuk ka dyshim se e Floberit do ishte: Floberi ose stili, ose feja e stilit. Një fe që kishte në brendësi të saj elementin e terrorit dhe fanatizmin, për të cilën disa mund të besonin se kishte ardhur ora e Volterit. Tashmë në kohën e Floberit, dukej pak pedante, hebraike apo bizantine. Në fund të një interviste midis Floberit, Feydeau dhe Gautier për stilin, Goncourt shkruan: “Na u duk sikur ishim lëshuar në një diskutim të Perandorisë së Ulët”. /Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lexo 10 librat e të gjitha kohërave!

Je në izolim, a në injorancën që vetë e zgjodhe?

Sipas rrjetit të librarive Adrion

10 titujt më të shitur të javës