Federata Shqiptare e Futbollit po këmbëngul për të rikthyer futbollin në vend duke parë llogaritur edhe fatin që Shqipëria nuk ka një përhapje alarmante të COVID-19. FSHF ka bërë gati edhe protokollin për t’u ndjekur nëse aktiviteti do të rifillonte.
Një protokoll i përgatitur sipas udhëzimëve të UEFA. Ditën e sotme, Armand Duka ka takuar edhe presidentin Ilir Meta për të diskutuar mbi rikthimin e futbollit në vend, ndërsa presidenti është shfaqur optimist duke theksuar se nuk ka vaksinë më të mirë për shëndetin se sporti.
“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.
Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend. Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti”, – ishin fjalët e presidentit Meta.