MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Gorbaçovi, fituesi që humbi BRSS

05.05.2020 - 16:51

Tridhjetë e pesë vjet më parë, Mikhail Gorbaçovi u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

“Ata presin shumë nga Gorbaçovi,” shkruante në ditarin e tij Anatoli Chernyaev, një burokrat dhe intelektual i Partisë Komuniste, që më vonë do të bëhej një këshilltar i Gorbaçovit. BRSS kishte nevojë për “asgjë më pak” sesa një “revolucion nga lart”, vuri në dukje ai. “A e kupton këtë Mikhail Sergeyevich?”

Politikat e Gorbaçovit, për Perestroikën (ristrukturim politik dhe ekonomik) dhe Glasnostin (transparencë dhe hapje) sollën një revolucion të pritshmëri. Pas 20 vjet stanjacioni, të mbikëqyrur nga një gerontokraci e sëmurë, tre liderë vdiqën në më pak se tre vjet, njerëzit kërkuan ndryshim. Ata besuan se Gorbaçovi mund ta sillte ndryshimin.

“Prezantimet” e para të Gorbaçovit në Perëndim nxitën atë që u quajt në atë kohë “Gorbimania”, dhe jo vetëm në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe në shtëpi. Ky udhëheqës karizmatik i ri do të siguronte një cilësi më të mirë të jetesës, të krahasueshme me Gjermaninë Lindore, Hungari, ose, akoma më mirë, me Evropën Perëndimore.

Por kjo nuk do të thoshte që qytetarët sovjetikë ishin gati të “përqafonin” qeveritë ose ekonomitë e stilit evropian perëndimor. Përkundrazi, ata donin të vazhdonin të pinin çaj në zyra, duke shijuar shumë siguri shoqërore me pak përgjegjësi.

Përkundrazi, arkitektët e perestrojkës e kuptuan që ata ishin inxhinierë të një revolucioni. Raporti i Gorbaçovit për vitin 1987, që shënon 70-vjetorin e Revolucionit Bolshevik u quajt “Tetori dhe Perestroika: Revolucioni Vazhdon”. Por edhe Gorbaçov dhe aleatët e tij nuk e kuptuan detyrën.

Gorbaçovi besonte se nëse Leninizmi thjesht do të pastrohej nga bashkimi i tij me Stalinin, socializmi do të rinovohej dhe përtërihej në një formë më demokratike, të orientuar drejt tregut. Ajo që ai nuk e kuptoi ishte se këto objektiva ishin të papajtueshëm. Revolucioni i tij do të çonte në humbjen e socializmit, dhe të perandorisë Sovjetike.

Tensioni midis socializmit dhe Perestrojkës nënkupton që udhëheqja e Gorbaçovit pati disa probleme. Për shembull, institucionalizimi i zgjedhjeve, që synonte forcimin e udhëheqjes politike me legjitimitet demokratik. Publiku dhe elita e epokës së Perestrojkës e duartrokitën këtë ndryshim, por burokracia sovjetike e kundërshtoi atë.

Në 1990, Gorbaçovi vendosi të bëhet president i BRSS. Por në vend se të mbante zgjedhje kombëtare, ai u zgjodh nga Kongresi i Deputetëve të Popullit, në thelb një kolegj elektoral.

Në mënyrë të ngjashme, pasi republikat e Balltikut u shkëputën, Gorbaçovi u përpoq të rivendoste rendin me forcë, që nuk “përputhej” aspak me përpjekjet e tij të deklaruara për të ndërtuar një shtet më human, të hapur. Kostot politike u shtuan edhe më shumë pasi u zbuluan protokollet sekrete të Paktit Molotov-Ribbentrop të vitit 1939 (traktati i mos-agresionit midis Gjermanisë naziste dhe BRSS që u mundësoi atyre të ndanin Poloninë) dhe masakra Katyn (ekzekutimin masiv të oficerëve ushtarakë polak).

Gorbaçov  u shtir se po drejtonte atë që donte të shmnagte. Por ai mundi ta shmangte të pashmangshmen vetëm për pak kohë. Për konservatorët, ai shpejt u bë një udhëheqës shkatërrues që kishte humbur kontrollin e një perandorie, ndërsa radikalët e shikonin atë si një konservator që pretendonte të ishte reformator.

Deri në këtë pikë, madje as suksesi i tij për t’i dhënë fund Luftës Sovjetike-Afgane në 1989 nuk i mundësoi atij të ruante popullaritetin.

Megjithatë, në kohën kur Boris Jelcin mori kontrollin në 1991, ishte shumë vonë. Reformat e Gorbaçovit tashmë e kishin çuar Bashkimin Sovjetik në rrugën drejt shpërbërjes. Kjo bëri që ai të lavdërohej në Perëndim, ku ai konsiderohet gjerësisht si udhëheqësi Sovjetik që çliroi Evropën Lindore,  zhduku Perden e Hekurt, përfundoi Luftën e Ftohtë dhe eliminoi rrezikun e luftës bërthamore. Aq revolucionar ishte revolucioni i Gorbaçovit, sa nuk është çudi që në vitin 1989 Francis Fukuyama shpalli “fundin e historisë”.

Sidoqoftë, në Rusi, fundi i Luftës së Ftohtë konsiderohet si humbje. Populli që kishte kërkuar përmirësime të jetesës, duhej të punonte shumë për t’u përshtatur me kushtet e reja të krijuara nga reformat e Gorbaçovit. Shumë prej tyre nuk e fallen kurrë Gorbaçovin për këtë, ashtu si ata nuk e falën Jelcinin për dështimin për të përmbushur premtimin e tij për bollëk dhe stabilitet deri në fund të 1992.

Edhe sot e kësaj dite, shumica e rusëve e shohin rrëzimin e perandorisë Sovjetike, ashtu si Presidenti Vladimir Putin, si “një fatkeqësi të madhe gjeopolitike të shekullit”.

Në mars të vitit 2019, një sondazh i Levada Center zbuloi se 48% e rusëve do të preferonin që gjithçka të kishte mbetur siç ishte para Perestrojkës.

Ky është një avantazh për Putinin, frika më e madhe e të cilit është presioni për një “Perestroika 2.0”.

Gorbaçovi i dha lirisë popullit të tij dhe pësoi humbje personale shkatërruese. Putin, i cili ka qenë i zënë duke u përpjekur të mbetet president deri në vitin 2036, po bën pikërisht të kundërtën.

Kriza aktuale e koronavirusit po demonstron joefikasitetin ekstrem të një shteti kapitalist jo demokratik dhe burokratik dhe ka treguar se shoqëria nuk është e bashkuar nga vlerat konservatore dhe nacionaliste. Rusët janë shumë më pragmatikë: ata duan një shtet që mund të sigurojë shërbime themelore.

Në këtë aspekt, autoritarizmi i Putinit po dështon, dhe trashëgimia e Gorbachev, i cili me dëshirë ose pa dëshirë i dha Rusisë lirinë, nuk do të duket aq keq sa dikur në planin afatgjatë.

Andrei Kolesnikov është një bashkëpunëtor prej shumë kohësh dhe Kryetar i Programit të Politikës së Brendshme Ruse dhe Institucioneve Politike në Qendrën Carnegie në Moskë.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al