Kina po i afrohet objektivit për të pasur stacionin e vet hapësinor në vitin 2022. Një prototip kapsule për astronautët i lëshuar me sukses ditë më parë përmbush fazën e tretë dhe të fundit të misionit tridhjetëvjeçar të vendit.
Kina ka lëshuar me sukses një raketambajtëse në hapësirë duke avancuar në misionin për të ngritur stacionin e vet jashtëtokësor brenda vitit 2022.
Një gjeneratë e re rakete e komandueshme nga astronautët dhe një prototip kapsule për udhëtimin e astronautëve në orbitë dhe drejt Hënës u nisën të martën nga kozmodromi i provincës së Hainanit.
Lëshimi i tyre në hapësirë u krye nëpërmjet raketambajtëses më të fuqishme të flotës kineze, dhe shënoi fazën e fundit të objektivit kinez për realizimin e një stacioni hapësinor.
Dy misionet e mëhershme, që e kanë zanafillën nga viti 1992, patën për fokus dërgimin dhe rikthimin e astronautëve dhe testimin e teknikave të avancuara të komandimit të moduleve hapësinore.
“Mendojmë se në të ardhmen do e zgjerojmë stacionin tonë, duke shtuar më shumë module. Kemi dërguar një numër të madh aparatesh eksperimentale për të studiuar jetën dhe materialet në hapësirë, mikrogravitetin”, tregon Zhou Xhianping, arkitekti i programit hapësinor kinez.
Kina deri tani ka realizuar 16 misione madhore hapësinore, dhe në muajin korrik do përzgjidhet grupi i ri i astronautëve që do ndihmojnë në ndërtimin e stacionit hapësinor dhe instalimin e një teleskopi për vëzhgimin e zonave të kozmosit.
Stacioni i ri është konceptuar t’i shërbejë vendit për 10 vjet.