Në shumë vende të Ballkanit, por edhe përtej, sot festohet ardhja e pranverës. Dita e Shën Gjergjit, është tashmë pjesë e Trashëgimisë (jomateriale) Kulturore në UNESCO. Kjo festë pagane që kremtohet me 6 maj, sipas kalendarit gregorian, shenjon ardhjen e pranverës në mënyrën më festive të mundshme. Festa e Shën Gjergjit bashkon katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, të cilët besojnë se kjo ditë, sjell gëzim e begati. Traditat festive. janë nga më të larmishmet në secilin prej vendeve ku festohet.
Kjo ditë kremtohet në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, në komunitetin Goran në Shqipëri, Çeki, Kroaci, Bullgari, Katalonja, Siri dhe Palestinë.
Traditat dhe bestytnitë më interesante të ditës së Shën Gjergjit.
Në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit kjo festë kremtohet në plot katër ditë. Në datën katër maj, fëmijët dalin nëpër livadhe për të mbledhur lule, me të cilat duhet të lahen për festë.
Petalet e luleve hidhen në një legen me ujë dhe në përfundim të banjës, njeriu duhet të shpëlahet me petalet e luleve për të pasur shëndet, gëzim e begati.
Me datën 5 maj, nuset e reja dhe vajzat e fshatit dalin mbledhin barishtet e para të pranverës dhe mbjellin fidanë shelgjesh nëpër ara e livadhë. Ato thurin kurora me lule dhe i vendosin në derë, jo vetëm për të pritur pranverën, por edhe për të mbrojtur shtëpinë nga syri i keq.
Data 6 maj është më pas, dita e përkushtuar ndaj shelgjeve të dashurisë.
Djemtë që janë të dashuruar ose të fejuar, presin degë të mëdha dhe i vendosin në portat e shtëpive të vajzave që dashurojnë. Më pas, organizohet një piknik i madh për të gjithë komunitetin dhe në fshat zgjidhet vendi më piktoresk për të bërë piknik, për të hedhur këngë e valle, për të festuar natyrën, dashuritë e reja dhe jetën në përgjithësi.
Gjatë piknikut organizohen rite të shumta si, vrapimi i kuajve, mundja e demave, sporti i mundjes e plot gara të tjera sportive. Thuhet që në këtë ditë shfaqen shumë ‘shtriga’ dhe kjo është arsyeja, përse në shumë fshatra ndizen zjarre të mëdha. Në fshatra të tjera, njerëzit shkruajnë dëshirat në një copë letër, të cilën duhet ta vendosin poshtë një bime trëndafili, në mbrëmjen e pesë majit.
Letra e dëshirave merret në mëngjes dhe hidhet në ujë të rrjedhshëm, apo në det, me besimin që ato do të plotësohen.
Masat Kundër Koronavirusit
Sikur bëhet me dije nga burime në vend, festa e Shën Gjergjit po festohet me ritet tradicionale në fshatrat e thella të Gorës. Banorët dhe kryepleqtë kanë vendosur që të mos pranojnë asnjë person të huaj në fshatra dhe u kanë kërkuar të gjithë njerëzve të tjerë, jo banorë të zonës, ta respektojnë këtë vendim.
***
Dita e Shën Gjergjit festohet për të përjetuar mbarimin e dimrit dhe ardhjen e stinës së verës.
Fillon me 5 maj dhe vazhdon deri me 15 maj. Karakterizohet me lojëra të shumta, me fluks të madh të shqiptarëve në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, apo ndonjë vendbanimi të lashtë. Gjurmët shkojnë larg në lashtësinë ilire atëherë kur ata besonin në shumë perëndi. Megjithatë, disa qarqe mundohen ta mitizojnë këtë dite, kjo është shfaqur diku pas ardhjes se krishterimit ne trevat e Ballkanit dhe Azisë se Vogël.
Bazuar ne kalendarët kanonike ortodokse, dita e Shën Gjergjit është 23 Prilli. Meqë ka lindur brenda kësaj periudhe, emri Gjergj iu vendos heroit tonë kombëtar. Gjergj Kastrioti Skënderbeu lindi më 6 maj 1405, për këtë arsye dita e Shën Gjergjit, nga popullata myslimane, madje edhe ajo e krishterë, kremtohet më 5 maj, ndryshe nga kalendari zyrtar ortodoks. Kjo festë duket se ka më shumë karakter kombëtar dhe kulturor sesa fetar, pasi populli shqiptar e lidh këtë ditë, me Gjergjin e Madh të Kastriotëve, “mbretin e madh” sipas gojëdhënave.
Ardhja e krishtërimit, si duket nuk e shkuli nga rrënja këtë traditë dhe për t’i duruar (ndoshta, adoptimi i zakoneve të vjetra nën petkun e fesë së re) ia vunë emrin Shën Gjergj.
Ja si përshkruhet një ditë e Shën Gjergjit
Ditën e Shën Gjergjit duhet zgjuar herët në mëngjes, të laheshe pastaj varej kungulli i egër në qafë, që e përgatisin nënat zakonisht (bëhet nga një lloj bime që është si patate, grihet në copa të vogla dhe bëhet qafore me pe të kuq dhe të bardhë); pastaj shkohej rreth lumit, për të marrë degë të gjelbëruara shelgu e më pas, te mulliri dhe te lugu i mullirit lanim degët e shelgut, lanim fytyrën dhe sillnim degët në shtëpi, por duhej pasur kujdes, se mos të prekej toka, pastaj këto degë vareshin në portë të shtëpisë (çdo portë ishte e stolisur me degë shelgu).